Menaxhim

KLSH auditon Financat: Shkelje me buxhetin. Monitoroni PPP-të, janë risk fiskal!

Nga Gazeta 'SI' - Kontrolli i Lartë i Shtetit ka trokitur këtë herë tek Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe ka gjetur atje parregullsi të shumta dhe devijime ligjore.

Fillimisht KLSH thekson se MFE nuk ka marrë parasysh rekomandimet që Kontrolli i ka bërë dhe rrjedhimisht nuk janë bërë përmirësimet e kërkuara.

Financat dalin me problematika të theksuara në menaxhimin, hartimin dhe respektimin e afatit të buxheteve apo politikave fiskale. KLSH thotë se në treguesit fiskalë që raporton Ministria dhe me të dhënat fillestare të parashikuara ka diferenca, specifikisht tek shpenzimet dhe buxhetet. Kjo problematikë ndodh me 11 ministri.

3 ministri nuk kanë publikuar raportin e monitorimit në faqet zyrtare të internetit dhe atyre i mungon analiza dhe vlerësimi i performancës për zbatimin e buxhetit bazuar në objektivat që kanë. Kjo sepse MFE nuk i ka monitoruar ato.

Një shkelje tjetër që KLSH ka gjetur tek Financat është menaxhimi i parave të huaja që vijnë në Shqipëri për investime kapitale.

Për vitin 2022 është konstatuar se 8 projekte investimi, me kredi, në vlerën rreth 2 mld lekë dhe 18.365 projekte investimi me grant, në vlerën e rreth 250 mln lekëve janë realizuar pa pasur plan buxhetor të miratuar me ligjin e buxhetit, akte normative apo rishikime buxhetore. Ndërsa 8 projekte investimi me financim të huaja në formën e kredisë, në vlerën 985 mln dhe 45 projekte investimi me financim të huaj në formën e granit, në vlerën 519 mln lekë janë realizuar në tejkalim të planit të buxhetit të miratuar.

Një tjetër shkelje e ligjit për buxhetin nga ana e ministrisë së Financave është ajo e përdorimit të Fondit Rezervë për shpenzime operative, kur ky fond përdoret vetëm për ngjarje që nuk parashikohen dot (p.sh tërmeti). Aty janë marrë 500 mln lekë për një projekt mbi fëmijët dhe rininë. Në total janë marrë nga ky fond 1.5 mld lekë.

KLSH: PPP-të, rrezik fiskal!

KLSH i rikujton MFE-së se ende nuk ka publikuar raportin e Performancës së Kontratave të Koncesionit dhe të Partneritetit Publik Privat për vitin 2022. Për të njëjtin vit kontratat PPP në vend kanë marrë nga buxheti i shtetit 12.7 mld lekë. KLSH thotë se 6 nga 12 kontrata rezultojnë me rritje pagesash faktike në vitin 2022, krahasuar me vitin 2021, gjë që përbën një risk fiskal për buxhetin, për më tepër që në mungesë të treguesve të matshëm të performancës së tyre bën të diskutueshme dhe arritjen në kohë të objektivave të tyre me eficiencë, ekonomicitet dhe efektivitet.

Gjithashtu, duke qenë se këto kontrata koncesionare/PPP janë me mbështetje buxhetore dhe koncesionari nuk ka përgjegjësi apo angazhim financiar, këto shpenzime nga ana e buxhetit të shtetit konsiderohen një borxh i fshehur për vitet në vijim.

Nga auditimi konstatohet se në 3 projekte koncesionare, janë shlyer detyrime të viteve të mëparshme, konkretisht për: ndërtimin dhe operimin e Rrugës së Arbrit në vlerën 2.9 mld lekë, ndërtimin dhe operimin e Portit të Jahteve Orikum – Dukat në vlerën 150 mln lekë, shërbimin e Skanimit në Dogana në vlerën 231 mln lekë. Realizimi i shërbimit përtej vlerës së buxhetuar ka shkaktuar krijimin e detyrimeve të prapambetura për vitin aktual dhe në të njëjtën kohë mbartjen e tyre në vitin pasardhës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë