Ngjarje

KLP miraton stafin e kryeprokurorit Çela, Dado zëvendëson Krajën

Këshilli i Lartë i Prokurorisë u mblodh për të zgjedhur magjistratët e rinj në sistemin e Prokurorisë. Emërimet janë kryer për të plotësuar stafin e kryeprokurorit të ri Çela. Sipas vendimit të marrë mësohet se Pranvera Pustina do të jetë shefja e kabinetit të Prokurorit të Përgjithshëm Olsjan Çela. Këshilli i Lartë i Prokurorisë me kërkesë të Kryeprokurorit ka miratuar propozimin e Pustinës, që komandohet ndihmës magjistrate në Prokurorinë e Përgjithshme, në postin e shefes së kabinetit.
Olsi Dado është emri i dytë që ka marrë miratimin e KLP-së, i cili do të jetë shefi i Marrëdhënieve me Jashtë në Prokurorinë e Përgjithshme, ndërsa mësohet se do të mbajë edhe postin e drejtuesit të Dekriminalizimit në vendin e Arben Krajës, që u zgjodh si drejtues i SPAK-ut.
Emri i tretë që ka marrë aprovimin e KLP-së është Arens Çela, që është komanduar ndihmës- magjistrat në Prokurorisë së Përgjithshme, por ende nuk dihet posti që do të mbajë në stafin e ri të organit të akuzës. Këto komandime të ndërmarra nga ana e KLP-së janë për një periudhë 5-vjeçare në Prokurori.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë