Mjedis

Klosi refuzon lejen mjedisore për TEC-in në Korçë

Ministri i Mjedisit, Blendi Klosi, ka bërë me dije se ka firmosur refuzimin e lejes mjedisore për TEC-in e Korçës. Sipas tij, projekti në fjalë nuk përmbush kriteret e përcaktuara nga Bashkimi Europian.
“Projekti nuk përmbush standardet e kërkuara nga Bashkimi Europian”, është shprehur ministri Klosi, duke njoftuar se iu refuzua leja mjedisore subjektit GPP Korça.
Një ditë më parë ishte kryetari i Bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo, që përmes një letre i kërkoi ministrit Klosi dhe ministres Balluku të mos aprovojë TEC-in me argumentin se ndot mjedisin.
“Ju kërkoj mosaprovimin e këtij investimi, i cili në çdo rast nuk do të mund të realizohet do të kundërshtim me vullnetin e Bashkisë së Korçës”, shkruante kryetari i Bashkisë Korçë.
Ndërsa, kryedemokrati Lulzim Basha nga qyteti i Korçës e ka cilësuar këtë projekt si një aferë korruptive.
Më herët, dhjetëra banorë të fshatit Sheqeras në Korçë kanë protestuar, pasi kundërshtojnë ndërtimin e TEC-it në fshatin e tyre. Banorët shpreheshin kundër projektligjit të qeverisë, pasi ndërtimi i TEC-it do ta kthente zonën në një hapësirë të pabanueshme.
Projekti, që u njoftua pak kohë më parë nga Ministria e Energjisë kishte marrë statusin e investitorit strategjik me kusht nga Komiteti i Investimeve Strategjike. Projekti parashikonte realizimin në zonën e Korçës të një termocentrali me cikël të kombinuar me rendiment të shndërrimit të energjisë termike në energji elektrike me 60% ose 5990 kj/kwh me kapacitet 480.9 MW.
Sipas projektit, synimi ishte që të zhvillohej në një sipërfaqe totale prej 909 182 metër në Korçë, Pojan, Kuç i Zi, Belorta, Dishnicë, Barç, Zëmblak, Malavec, Nevicisht për realizmin e termocentralit, lidhjes me TAP, lidhjes me sistemin e ujit, ndërtimin e shtyllave të linjës së transmetimit dhe ndërtimin e shtresës së nënstacionit Zëmblak.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë