Ngjarje

Klosi për tragetin me mbetje toksike: Aktivitet kriminal, duhet hetim i thellë

Ka reaguar Ministri i Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi, në lidhje me tragetin me mbetje të rrezikshme të bllokuar në Vlorë. Sipas tij, operacioni verifikoi këtë problem të madh për Shqipërinë, një aktivitet kriminal. Ministri theksoi nga Prespa se do të pritet hetimi dhe analizat laboratorike për të kuptuar më mirë sa të rrezikshme ishin këto mbetje.

“Operacioni i organizuar në mënyrë të strukturuar nga Ministria e Brendshme dhe Ministria e Mjedisit, bashkë me autoritet lokale në Vlorë, ishte një aksion që shënon një nga më pikat kulmore në kuadër të gjithë përpjekjeve që bëjmë për të vazhduar në mënyrë të fortë moratoriumin e mbetjeve te rrezikshme në vendin tonë. Ishte një operacion i planifikuar qartësisht dhe shënoi sukses. Gjithë strukturat kryen atë operacion, duke verifikuar tashmë sesa i thellë është ky problem.

Është një ngjarje e ditës së parë apo ka raste të tjera, hetimi do të shkojë thellësisht në të gjithë aktivitetin që për mua është shumë kriminal. Megjithatë, do t’ia lëmë hetimit fjalën e fundit dhe laboratorëve shkencorë që të vërtetojnë përbërjen e atij materiali dhe rrezikshmërinë që ka për njerëzit. Ndihem mirë që patëm koordinim të jashtëzakonshëm me Policinë e Shtetit. Në Shqipëri pasi mbrojtja e mjedisit është bërë detyrë e gjithë shoqërisë dhe njerëzit kanë shumë në dorë. Informacioni erdhi nga qytetarë dhe u veprua nga institucione shtetërore” tha Ministri Klosi mes të tjerash .


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë