Dosje

Klodian Zoto i ‘shpërblente’ miqtë e inceneratorit të Fierit me ndeshjet e Championsit

Gazeta Si - Udhëtimet e disa prej të akuzuarve për aferën e inceneratorit të Fierit për të parë ndeshjet e Champions League, janë paguar nga Klodian Zoto, i shpallur në kërkim nga SPAK për aferën e shumëpërfolur në vend.

Në dosjen hetimore të SPAK, thuhet se të dyshuarit u kanë ofruar ryshfet zyrtarëve të shtetit, përmes biletave të udhëtimit dhe qëndrimit në hotel jashtë vendit.

Alqi Bllako kishte njohje personale me Klodian Zoton, pronarin e kompanisë koncesionare të tre inceneratorëve të ngritur në Shqipëri.

Ish-deputeti socialist rezulton se ka udhëtuar me paratë e Zotos për në Itali, së bashku me Arben Dervishajn, zv.presidentin e FSHF-së, i arrestuar për mashtrim në çështjen e inceneratorit të Fierit.

Dervishaj, mbikëqyrësi i punimeve tek inceneratori i Fierit, ka marrë prej tij 2.250 euro për të parë ndeshjen në Torino mes Juventusit dhe Barcelonës, e vlefshme për Championsin.

Një tjetër pagesë, biznesmeni Dervishaj e ka përfituar dhe për një udhëtim që ka kryer në Izrael me vajzën e tij.

Ai ka qëndruar në hotel “Kroun Plaza tel Aviv” dhe pagesat u kryen nga llogaria bankare e Klodian Zotos me një vlerë prej 1.920 eurosh.

Etleva Kondi, anëtarja e komisionit të dhënies së koncesionit, ka përfituar gjithashtu udhëtime dhe pagesa nga Klodian Zoto.

Ajo së bashku me të bijën qëndruan në të njëjtin hotel me Mirel Mërtirin. Në dosjen e SPAK thuhet se për to, janë paguar 840 euro.

Përfitime ka marrë dhe Alqi Bllako, ish sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit.

Babai i tij, i cili rezultonte i punësuar në incenerator, është shpërblyer me rreth 15 milionë lekë paga nga tetori 2018 deri në janar të 2020.

Të akuzuarit thuhet në dosjen e SPAK, ishin në dijeni të hetimeve. Prokuroria kërkoi masën arrest me burg për shkak se ata mund të largoheshin jashtë vendit apo mund të ndërhynin në hetime.

Pesë nga të shpallurit në kërkim u arrestuan dhe 6 janë në kërkim. Një nga të arrestuarit u la në arrest shtëpie.

Veç Fierit, ish-deputeti Bllako është nën akuzë edhe për inceneratorin e Elbasanit, për të cilin gjendet në burg ish-shefi i tij, ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë