Ka ndodhur

KLGJ shkarkon gjyqtaren Enkeleida Hoxha

Këshilli i Lartë Gjyqësor ka vendosur të shkarkojë nga detyra gjyqtaren e Krujës, Enkeleida Hoxha, e cila akuzohet se ka liruar nga qelia disa të dënuar për krime dhe vepra të rënda penale.

Kërkesa për shkarkimin e gjyqtares së Krujës ishte bërë nga ILD dhe tashmë ajo ndodhet në qeli me masën e sigurisë “arrest me burg”.

Një një njoftim për mediat, ILD tha se, “në seancën e paraqitjes së përfundimeve mbi hetimin e kryer, Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani kishte argumentuar shkeljet disiplinore të magjistrates, si mospërmbushje e pajustifikuar e funksioneve gjatë gjykimit; veprime që kanë sjellë përfitim të padrejtë për palët, mosrespektim të rëndë e të vazhduar të legjislacionit material e procedural penal dhe nxjerrje të akteve (vendimeve) të paarsyetuara”.

Sipas ILD, kanë qenë disa vendime të marra nga Hoxha në harkun kohor nga maj 2017, shkurt 2019, të cilat sipas hetimeve, kanë rezultuar me shkelje.

Enkelejda Hoxha është gjyqtarja e dytë që shkarkohet nga detyra me vendim të KLGJ-së, pas kërkesës së ILD, pas gjyqtarit të Gjykatës së Korçës, Markelian Kuqo, për vendimin e lirimit me kusht të të dënuarit për vrasje, Gerd Gjenerarit.

Me urdhër të SPAK-ut, Hoxha u arrestua bashkë me 9 persona të tjerë më 11 shkurt me akuzën e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës.

Sipas dosjes së SPAK-ut, Hoxha, në bashkëpunim me avokatin Aldo Tabaku dhe sekretaren e Gjykatës së Krujës, Manuela Mallakuçi, akuzohen se kishin ngritur një skemë përmes të cilës ulnin dënimet ose lironin nga burgu të dënuar për vepra të rënda penale kundrejt parave.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë