Ngjarje

Kleri i kërkon Parlamentit: Të mos ndryshojë koncepti i martesës burrë-grua. Të rritet mosha e birësuesve nga 21 në 35 vjeç

Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë kërkon që të mos preket koncepti i martesës dhe bashkëjetesës, pra mes një burri dhe një gruaje që kanë mbushur 18 vjeç. Në një letër zyrtare drejtuar Komisionit të Ligjeve, ky këshill kërkon që mos ndryshojnë disa nene të Kodit të Familjes, të cilat janë paraqitur për shqyrtim; nene që kanë të bëjnë me familjen dhe birësimin.
Njërin nga nenet (241 i Kodit të Familjes) ku thuhet se “Ka të drejtë për të birësuar personi që ka mbushur moshën 21 vjeç dhe ka zotësi të plotë për të vepruar”, Këshilli Ndërfetar kërkon që të ndryshohet duke rritur moshën e birësuesit. Dhe të mbetet i pandryshuar koncepti se kush ka të drejtë të birësojë një fëmijë, çka sanksionohet në neni 242 të Kodit të Familjes.
Neni 242 aktualisht është: “I mituri nuk mund të birësohet nga shumë persona, përveç rastit kur ata janë bashkëshortë. Birësimi i ri lejohet pas vdekjes së birësuesit ose të birësuesve apo pas vdekjes së njërit prej birësuesve, në qoftë se kërkesa është paraqitur nga bashkëshorti i ri i birësuesit”.
Neni 242 ndryshohet, si më poshtë vijon: “I mituri mund të birësohet nga një person i vetëm ose nga persona që janë bashkëshortë ose bashkëjetues sipas përcaktimeve të nenit 163, të këtij Kodi, që kanë bashkëjetuar në mënyrë të qëndrueshme dhe të vazhdueshme për të paktën 3 vjet”.
Propozojmë të bëhet: “I mituri mund të birësohet nga një person i vetëm ose nga persona që janë bashkëshortë ose bashkëjetues vetëm kur provohet se ai apo ata janë të lidhur në martesë apo bashkëjetesë sipas përcaktimeve të neneve 7 dhe 163 të këtij Kodi, dhe që kanë bashkëjetuar në mënyrë të qëndrueshme dhe të vazhdueshme për të paktën 3 vjet.”
Këshilli Ndërfetar thekson se “propozimi i mësipërm ka vlerë vetëm nëse nenet 7 dhe 163 të Kodit të Familjes mbeten të pandryshuar”. Pra të jenë:
Neni 7: “Martesa mund të lidhet ndërmjet një burri dhe një gruaje që kanë mbushur moshën 18 vjeç”.
Neni 163: “Bashkëjetesa është një bashkim fakti midis burrit dhe gruas që jetojnë në çift, e karakterizuar nga një jetë e përbashkët, që paraqet një karakter stabiliteti dhe vazhdueshmërie”, shkruhet në shkresën e Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë ku insiston për mosndryshimin e konceptit të martesës dhe bashkëjetesës, duke u përcaktuar pjesëmarrësit në këto institute si Burrë dhe Grua nga lindja”.
Në mbështetje të kërkesës së tyre lidhur me rritjen e moshës së personit birësues, Këshilli Ndërfetar ka sjellë në vëmendje Kodin Civil Italian, i cili parashikon që ka të drejtë të birësojë personi që ka mbushur moshën 35 vjeç dhe në raste të rralla 30 vjeç.
Sipas Kodit Civil Italian: “Birësimi lejohet për njerëzit të cilët kanë mbushur moshën tridhjetë e pesë dhe që janë të paktën tetëmbëdhjetë vjeç më të mëdhenj nga ata që synojnë të birësojnë. Në rrethana të jashtëzakonshme, gjykata mund të autorizojë birësimin nëse adoptuesi ka mbushur moshën të paktën tridhjetë vjeç, pa cenuar ndryshimin e moshës të përmendur në paragrafin e mëparshëm. E nënvizojmë këtë kërkesë si të domosdoshme për përgjegjësinë, që do të marrë birësuesi dhe cilësitë (shkollimi, punësimi, të ardhurat nga punësimi etj.), që duhet të mbart për të rritur dhe edukuar një fëmijë të përgjegjshëm”.
Këshilli Ndërfetar, në shkresën e vet, gjithashtu kërkon që në çdo rast që do të ketë propozime për ligjet, drafte ligjore që prekin interesat pronësore, fetare, ideologjike, ekonomike etj. të ftohet si grup interesi për të shprehur qëndrimin në lidhje me këto ndryshime apo projektligje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë