Ngjarje

Kjo kineze shkruajti historinë: Sapo është bërë kampione bote në videolojëra

Xiaomeng “VKLiooon” Li bëri histori të shtunën në mbrëmje si gruaja e parë që fitoi një turne të lojës së The Grand Hearthstone. Evenimenti është krijuar në bazë të një lojë të realizuar nga BlizzCon, një kompani e cila mundëson një sërë lojërash online. Që prej vitit 2014, kompania ka krijuar një kampionat botëror për lojërat online, ndër të cilat The Grand Hearthstone është më e preferuara. Kampionati përmban çmime të ndryshme dhe mirëpret pjesëmarrës nga e gjithë bota. Pas një fitoreje 4-0 ndaj kundërshtarit të saj, Li foli për ata që mund të ndjekin shembullin e saj.
“Unë dua t’u them të gjitha vajzave që kanë ëndërr të konkurrojnë në lojëra online se, nëse do të doni ta bëni këtë gjë, besoni në vetën tuaj, harroni gjininë dhe do të fitoni,” u shpreh Li e cila është 23 vjeç.
Paragjykimet dhe ngacmimet shpesh i largojnë vajzat nga lojërat e tilla profesionale dhe Li ka treguar se është përballur me këto gjëra. Ajo tha se dy vjet më parë kur priste të regjistrohej në kampionat, një burrë i kishte thënë se “gratë nuk kanë vend këtu, kjo gjë nuk është për ty”. Tani, duke qëndruar para mijëra tifozëve që brohorasin për të, gjërat janë ndryshe.

https://twitter.com/HSesports/status/1191075589546901504

“Unë mendoj se për sa kohë që komunitetet do të tregohen më pak paragjykues, e do të tregojnë më shumë respekt dhe tolerancë për vajzat që dëshirojnë të marrin pjesë në evenimente të tilla, do të këtë shumë gra që do të garojnë e do të kenë të njëjtat arritje si burrat,” u shpreh ajo, ndërkohë që tifozët brohorisnin në Qendrën Anaheim në Kaliforni.
Fituesja ka lindur në një qytet të vogël në rajonin Xinjiang të Kinës. Ajo ka mësuar fillimisht për lojën kur studionte në Universitetin e Shkencave Politike. Në konferencën për shtyp, Li tha se dega për të cilën studionte nuk i pëlqente shumë dhe i dha vetes mundësinë për të eksperimentuar me lojërat online, për të parë sa do të arrinte. Ajo ishte femra e parë që fitoi lojën e pëlqyer nga të gjithë.
“Ajo çka më ndihmoi të jem këtu është fakti se, unë mendoj se do bëhem aq e mirë sa të tjerët, në këtë lojë. Kjo është ajo që më ndihmoi dhe më motivoi të punoj më shumë se ata dhe të jem e kujdesshme, në çdo strategji që mendoj,” shtoi ajo.
Li ka treguar se e praktikon lojën rreth pesë orë në ditë dhe shikon se si luajnë profesionistët për të studiuar strategjitë e tyre. Gjatë fjalimit ajo shtoi se nuk do të ndalet vetëm me fitoren e saj të parë.
“Do të vazhdoj të marr pjesë në të gjitha llojet e turneve në të gjithë botën dhe shpresoj të fitoj. Ky është plani aktualisht,” është shprehur 23 vjeçarja. /The Washington Post/

https://twitter.com/ESPN_Esports/status/1190826770720841728

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë