Mendim

Kissinger: Pandemia do të ndryshojë përgjithmonë rendin botëror

Nga Henry A. Kissinger - Atmosfera surrealale e pandemisë së koronavirusit më bëri të përjetoja edhe njëherë ndjesinë e Betejës së Bulgës, kur forcat perëndimore u përplasën për herë të fundit me ato gjermane gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Edhe tani, ashtu si në fund të vitit 1944, ekziston e njëjta ndjenjë rreziku akut, që na kërcënon të gjithëve si shoqëri, duke goditur në mënyrë rastësore dhe shkatërrimtare. Por ekziston një ndryshim i rëndësishëm midis asaj kohe të largët dhe asaj që po jetojmë. Qëndrueshmëria e kombit tonë u arrit vetëm sepse ishte qëllimi më i rëndësishëm kombëtar. Por sot, besimit i publikut tek qeveritë e tyre është thelbësor për solidaritetin shoqëror, marrëdhëniet e shoqërive me njëra-tjetrën dhe paqen dhe stabilitetin ndërkombëtar.

Një komb bashkohet dhe lulëzon vetëm nëse ka besim se institucionet e tyre mund të parashikojnë krizat, të zbusin ndikimin e tyre dhe të rivendosin stabilitetin. Kur të shuhet pandemia e koronavirusit, institucionet e shumë vendeve do të perceptohen si të dështuara. Realiteti është se bota nuk do të jetë kurrë e njëjta pas koronavirusit.

Koronavirusi ka goditur me një shkallë dhe egërsi të paparë mbarë globin. Përhapja e epidemisë është eksponenciale.

Henry A. Kissinger, Gazeta "Si", 2020

Deri në këtë moment, nuk është zbuluar ende një kurë e sigurt. Pajisjet mjekësore janë të pamjaftueshme për të përballuar valët e të infektuarve. Njësitë e kujdesit intensiv janë duke u mbingarkuar dhe do të arrijnë së shpejti kulmin e pacientëve që mund të trajtojnë. Metodologjia e testimit është e papërshtatshme dhe nuk ka rezultuar e suksesshme në zbulimin e shpejtë të shtrirjes së epidemisë dhe aq më pak të frenojë përhapjen e saj. Prodhimi i një vaksine të suksesshme mund të jetë 12-18 muaj larg.

Por testi përfundimtar do të jetë nëse përhapja e virusit mund të frenohet dhe të sprapset në një shkallë të tillë që të rikthejë besimin e publikut në aftësinë e autoriteteve për të udhëhequr vendin gjatë një krize kombëtare. Përpjekjet për përballimin e kësaj krizës, sado e gjerë dhe e menjhërshme, nuk duhet të tërheqin vëmendjen nga një detyrë po aq urgjente: ndërtimin e një strategjie paralele për kalimin në rendin pas pandemisë së koronavirusit.

Secili vend po përballet me krizën në shkallë kombëtare, por efektet e pandemisë nuk i njohin kufijtë. Edhe përse kriza shëndetësore do të jetë e përkoshme, të paktën shpresojmë të jetë e përkohshme, trazirat politike dhe ekonomike që ajo ka shkaktuar mund të zgjasin me breza. Asnjë vend, madje as SHBA-ja, nuk mund të bëjë një përpjekje thjesht kombëtare për të kapërcyer pandeminë. Adresimi i nevojave të menjëhershme duhet të shoqërohet me një vizion dhe program global bashkëpunues. Nëse ne nuk mund t’i bëjmë të dyja në të njëjtën kohë, do të përballemi me anën më të errët të krizës politike dhe asaj shëndetësore.

Duke nxjerrë mësime nga Plani Marshall dhe Projekti Manhatan, SHBA është e detyruar të ndërmarrë një përpjekje të madhe për të luftuar koronavirusin, bazuar në tre fusha kryesore. Së pari, duhet të forcohet rezistenca globale ndaj sëmundjeve infektive. Triumfet e industrisë farmaceutike si vaksina ndaj poliomielitit dhe zhdukja e lisë së dhenve, ose mrekullia statistikore e diagnozës mjekësore përmes inteligjencës artificiale, na kanë zhytur në një vetëkënaqësi të rrezikshme. Ne kemi nevojë të gjejmë teknika dhe teknologji të reja për kontrollin e përhapjen e infeksionit në kohë reale dhe të mund të prodhojmë vaksinat në kohë rekord dhe jo kur epidemia të jetë drejt shuarjes. Qytetet, shtetet dhe rajonet duhet të jenë të përgatitura dhe të trajnohen vazhdimisht për të mbrojtur qytetarët e tyre nga pandemitë duke mbledhur rezerva ushqimore e mjekësore, duke hartuar strategji bashkëpunuese dhe duke eksploruar në kufijtë e shkencës.

Së dyti, duhet të përgatitemi për shërimin e plagëve të ekonomisë botërore. Udhëheqësit globalë kanë mësuar mësime të rëndësishme nga kriza financiare e vitit 2008. Por kriza aktuale ekonomike është më komplekse: Tkurrja ekonomike e shkaktuar nga koronavirusi është, për shkak të shpejtësisë dhe shkallës globale, ndryshe nga çdo gjë e njohur ndonjëherë në histori. Dhe masat e nevojshme për të frenuar krizën e shëndetin publik, siç janë distancimi social dhe mbyllja e shkollave dhe bizneseve, po kontribuojnë në rënien e vazhdueshme ekonomike. Tani është thelbësore të hartohen programe të posaçme për të zbutur efektet e kaosit në popullsitë më të rrezikuara në botë.

Presidenti Donald Trump dhe Henry A. Kissinger, Gazeta "Si", 2020

E treta, po jo më pak e rëndësishmja, ne duhet të mbrojmë parimet e rendit liberal botëror. Legjendat e vjetra mbi të cilat bazohen qeveritë moderne janë ato të një qyteti me mure i mbrojtur nga pushtetarë të fuqishëm, ​gjithnjë të fortë për të mbrojtur njerëzit e tyre nga armiqtë e jashtëm. Iluministët e përmirësuan këtë koncept, duke argumentuar se qëllimi i një shteti legjitim është të sigurojë nevojat themelore të njerëzve: sigurinë, rendin, mirëqenien ekonomike dhe drejtësinë. Qytetarët nuk mund t'i sigurojnë vetë këto gjëra. Pandemia ka nxitur një anakronizëm, një ringjallje të qytetit me mure në një epokë kur prosperiteti varet nga tregtia globale dhe lëvizja e njerëzve.

Vendet demokratike duhet të mbrojnë dhe të ruajnë fort vlerat e Iluminizmit. Prishja e ekuilibrit të pushtetit me legjitimitetin do të cojë në shpërbërjen e kontratës sociale brenda dhe jashtë vendit. Megjithatë, kjo çështje mijëravjeçare e ekuilibrit të pushtetit nuk mund të zgjidhet njëkohësisht me përpjekjet për të kapërcyer pandeminë e koronavirusit. Por marrja e masave për mbrojtjen e demokracisë është e nevojshëm nga të gjitha palët, si në politikën e brendshme ashtu edhe në diplomacinë ndërkombëtare. Tani është koha që të përcaktohen përparësitë.

Ne kaluam nga Beteja e Bulges në një botë me prosperitet dhe dinjitet. Tani, jetojmë një periudhë historike. Sfida e vërtetë e udhëheqësve globalë tanimë është të menaxhojnë krizën e koronavirusit, ndërkohë që ndërtojnë të ardhmen. Dështimi i tyre, mund t’i vërë zjarrin botës.

*Henry A. Kissinger shërbeu si Sekretar Shteti dhe Këshilltar i Sigurisë kombëtare në administratat e presidentëve amerikanë Richard Nixon dhe Gerald Ford. Ky editorial u publikua në gazetën amerikane "Wall Street Journal".


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë