Ka ndodhur

Kishte përshtatur lokalin për përdorim droge, arrestohet pronari

Një 42-vjeçar nga Tirana ka rënë në prangat e Policisë pasi kishte përshtatur lokalin për përdorim dhe shitje të lëndës narkotike kokainë.

Në operacionin e koduar “Bujtina” janë sekuestruar një armë zjarri pistoletë, një sasi kokaine, fishekë luftarakë, një peshore elektronike dhe dy armë të ftohta (thika).

Policia thotë se në pranga ka përfunduar shtetasi me inicialet L. E., 42 vjeç, banues në Tiranë.

Sipas policisë, 42-vjeçari kishte përshtatur lokalin në pronësi të tij për shitje dhe për përdorim të lëndëve  narkotike kokainë.

“Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit të lokalit dhe të banesës së tij, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një armë zjarri e llojit pistoletë dhe fishekë luftarakë, një sasi lënde narkotike kokainë, një peshore elektronike që shërbente për peshimin e lëndës narkotike dhe dy armë të ftohta (thika)”, thuhet në njoftimin e policisë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë