Ka ndodhur

Kishin kthyer lokalet në pika bastesh, 6 të arrestuar në Vlorë dhe Fier

Në dy operacione të ndryshme, policia ka arrestuar 6 persona në Vlorë dhe Fier, pasi është zbuluar se ata kishin kthyer lokalet e tyre në pika për lojërat e fatit.

Në Vlorë, në pranga ka rënë Aldo Malaj, pasi në lagjen “Pavarësia” në Vlorë në ambientet e lokalit të tij ushtronte aktivitet të paligjshëm të lojërave të fatit.

Gjatë kontrollit në lokal, autoritetet kanë sekuestruar  një laptop, një printer, një ‘Ipad’, të cilat dyshohen se përdoreshin për lojëra të  palejuara dhe baste sportive, duke përfituar vlera monetare të pa deklaruar në organet tatimore.

Ndërkohë në pranga ka rënë dhe Xhulio Ferati, i cili po në lagjen “Pavarësia” në lokalin e tij, ushtronte aktivitetin e jashtëligjshëm të lojërave të fatit dhe Denis Biraçi, 29 vjeç, pasi në lokalin e tij janë gjetur pajisje për lojërat e fatit.

Ndërkohë, Policia e Fierit, në kuadër të operacionit “Forebet”, ka vënë në pranga 3 persona dhe në tjetër është shpallur në kërkim.

Autoritetet sqarojnë se kanë ushtruar kontrolle në disa lokale dhe kanë goditur 4 raste të zhvillimit të aktivitetit të paligjshëm të lojërave të fatit.

Është arrestua në flagrancë Irakli Mëngjezi, 26 vjeç, i cili ishte punësuar në lokalin e Shkëlzen Babollit në lagjen “Apollonia”, ku u konstatuan duke ushtruar aktivitetin e kundërligjshëm të lojërave të fatit dhe basteve sportive.

Po ashtu është prangosur dhe Dashamir Dauti, pasi në lokalin në pronësi të tij në lagjen “Kastrioti” ushtronte aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit dhe basteve sportive.

Policia thotë se ka arrestuar dhe Avni Dautin, pasi në lokalin në pronësi të tij në lagjen “Apollonia” ushtronte aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit dhe basteve sportive.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë