Lojëra me Dore

Kinë-Amerikë, politika bën “nxehmjen” për të hyrë në parketin e Botërorit

Politika duhet të qëndrojë larg sportit. Duhet të qëndrojë jashtë parketit të basketbollit, por duket se qenka shumë e vështirë. Kombëtarja amerikane e basketbollit është grumbulluar për të përgatitur Botërorin e parë në histori në Kinë. Nuk ka në përbërje yjet NBA-së dhe udhëhiqet nga trajneri-shenjtor, Greg Popoviç. Nuk ka dyshime për faktin nëse është favorite për të bërë tris, pavarësisht se emra si LeBron Xhejms, Kauhi Leonard dhe Stefan Kërri, e refuzuan Botërorin para se t’u bëhej ftesa për pjesëmarrje. Xhejms Harden dhe Antoni Devis u tërhoqën gjithashtu, por në momentin kur dukej se do të ishin ata liderët e Amerikës.

Disa nga yjet e kombëtares kineze të basketbollit. Gazeta Si, 6 gusht 2019

I sigurt është fakti se për ta mbajtur politikën jashtë parketit do të jetë më e vështirë se për të bërë kosh. Sepse mes Uashingtonit dhe Pekinit tensioni është më i lartë se kurrë, në një luftë mes ndëshkimesh dhe dyshimesh për një akord që nuk po gjendet kurrë. Presidenti i Amerikës, Donald Tramp, prej kohësh e ka kthyer çështjen në një betejë taksash doganore, duke imponuar masa ndëshkuese prej miliarda dollarësh për shumë të mira materiale që importohen nga Kina. Pekini është përgjigjur, duke lëvizur makinën e fuqishme të propagandës, që ka filluar të fajësojë Shtetet e Bashkuara të Amerikës për çdo gjë, që nga ekonomia që rritet ngadalë, te protestat në sheshet e Hong Kongut.

Jao Ming, basketbollisti më i madh kinez, kur luante në NBA. Gazeta Si, 6 gusht 2019

Vëmendja do të jetë edhe më e madhe në Kinë nga 31 gushti deri më 15 shtator. Masat e reja ndëshkuese te presidentit amerikan Tramp do të fillojnë pikërisht ditën e debutimit të kombëtares amerikane të basketbollit në Botëror, më 1 shtator, kur në Shangai do të ndeshet me Çekinë. Tensioni rrezikon të rritet gjithmonë e më shumë dhe sa do të ndikojë në Botëror, mbetet për t’u parë. Basketbolli në Kinë është sporti më popullor, i praktikuar nga më shumë se 400 milionë persona, me NBA-në, që që prej kohës së Jao Ming ka zënë një vend të rëndësishëm në zemrën e tyre. Sezonin e kaluar, plot 490 milionë persona kanë ndjekur ndeshjet e NBA-së në “Tencent”, një shifër trefish më e lartë se 5 vite më parë. Amerika është në grup me Çekinë, Japoninë dhe Turqinë. Ndeshjet e këtij grupi luhen në Shangai, qytetin simbol të raporteve mes Uashingtonit dhe Pekinit që nga vizita historike e Riçard Nikson në vitin 1972. Ishte fillimi i normalizimit të raportit mes dy superfuqive, raport që ishte hapur me “Diplomacinë e ping-pongut”. Është vendi, ku janë ndërprerë negociatat e fundit mes Pekinit dhe Uashingtonit për akordin tregtar, që ishte pika e nisjes së tensionit aktual.

Popoviç dhe Kerr, trajnerët e kombëtares amerikane të basketbollit. Gazeta Si, 6 gusht 2019

Botërori i Amerikës mund të ketë edhe një front politik brenda “shtëpisë”. Atë mund hapin trajneri Popoviç dhe ndihmësi i tij Stiv Kerr. Trajneri i “Spurs” dhe ai i “Warriors” janë nga më kritikët e presidentit Tramp në basketbollin amerikan, që kur ai ishte kandidat i republikanëve. Golden Stejt ka fituar dy tituj gjatë kohës së presidencës së Tramp, por nuk ka shkuar asnjëherë të festojë në Shtëpinë e Bardhë, siç është tradita, duke krijuar polemika në 2017-ën. Popoviç, i cili nuk i ka kursyer kurrë thumbat ndaj presidentit Tramp, tani preferon të jetë i përqendruar te basketbolli, pasi është aventura e tij e parë si trajner i Amerikës. Ftesës së tij shumë yje të NBA-së i kanë thënë “jo”. Do të bazohet te një grup i ri (8 nga 16 lojtarët e grumbulluar janë më të vegjël se 24 vjeç), pa përvojë, por që në Kinë ka objektivin e përhershëm: të shpallet kampion, edhe pse rivalët kanë filluar të ngrenë krye. Popoviç kërkon të fitojë me çdo kusht në përvojën e parë në shërbim të atdheut sportiv. Kërkon ta lërë mënjanë politikën, që po bën “nxemjen” për të hyrë në parket.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë