Analize

Kina po nxit dezinformacionin rreth zjarreve në Hawaii duke përdorur teknika të reja mashtrimi

Fushata e ndikimit të Pekinit duke përdorur inteligjencën artificiale është një ndryshim i shpejtë në taktika, thonë studiuesit nga Microsoft dhe organizata të tjera.

Kur zjarret e egra përfshinë me tërbim Maui-n muajin e kaluar, ‘luftëtarët’ e informacionit gjithnjë e më të shkathët të Kinës ‘u hodhën në sulm’.

Fatkeqësia nuk ishte e natyrshme, thanë ata në një mori postimesh false që u përhapën në internet, por ishte rezultat i një "arme moti" të fshehtë që po testohej nga Shtetet e Bashkuara. 

Për të forcuar besueshmërinë, postimet shfaqnin fotografi që dukej se ishin krijuar nga programet e inteligjencës artificiale(AI) duke i bërë ata ndër të parët që përdorin këto mjete të reja për të forcuar atmosferën e autenticitetit të një fushate dezinformimi.

Për Kinën – e cila kryesisht qëndroi në periferi të zgjedhjeve presidenciale të SHBA-së në vitin 2016 dhe vitin 2020, ndërkohë që Rusia drejtonte operacione hakerimi dhe fushata dezinformuese – përpjekja për të konsideruar zjarret si një akt i qëllimshëm nga agjencitë amerikane të inteligjencës dhe ushtria ishte një ndryshim i shpejtë i taktikave.

Deri më tani, fushatat e ndikimit të Kinës janë fokusuar në përforcimin e propagandës në mbrojtje të politikave të saj në Tajvan dhe tema të tjera. Përpjekja më e fundit, e zbuluar nga studiues nga Microsoft dhe një sërë organizatash të tjera, sugjeron se Pekini po bën përpjekje më të drejtpërdrejta për të mbjellë mosmarrëveshje në Shtetet e Bashkuara.

Lëvizja vjen gjithashtu pasi administrata e Biden dhe Kongresi po përballen me mënyrën se si të zmbrapsin Kinën pa i futur dy vendet në konflikt të hapur dhe me mënyrën se si të zvogëlojnë rrezikun që AI të përdoret për të zmadhuar dezinformimin.

Ndikimi i fushatës kineze - i identifikuar nga studiues nga Microsoft, Recorded Future, RAND Corporation, NewsGuard dhe Universiteti i Maryland-it - është i vështirë për t'u matur, megjithëse indikacionet e hershme sugjerojnë se pak përdorues të mediave sociale janë përfshirë me teoritë më të çuditshme të konspiracionit.

Brad Smith, nënkryetari dhe presidenti i Microsoft, studiuesit e të cilit analizuan fushatën e fshehtë, kritikoi ashpër Kinën për shfrytëzimin e një fatkeqësie natyrore për përfitime politike.

"Unë thjesht nuk mendoj se ky është i denjë për asnjë vend, aq më pak për ndonjë vend që aspiron të jetë një vend i madh," tha z. Smith në një intervistë.

Kina nuk ishte i vetmi vend që përdori politikisht zjarret në Maui. Rusia bëri gjithashtu të njëjtën, duke përhapur postime që theksonin se sa para po shpenzonin Shtetet e Bashkuara për luftën në Ukrainë dhe që sugjeronin se paratë do të shpenzoheshin më mirë në shtëpi për lehtësimin e fatkeqësive.

Studiuesit sugjeruan se Kina po ndërtonte një rrjet llogarish që mund të viheshin në përdorim në operacionet e ardhshme të informacionit, duke përfshirë zgjedhjet e ardhshme presidenciale në SHBA. Ky është modeli që vendosi Rusia në një vit apo më shumë përpara zgjedhjeve të 2016-ës.

“Kjo po shkon në një drejtim të ri, i cili është një lloj përforcimi i teorive konspirative që nuk lidhen drejtpërdrejt me disa nga interesat e tyre, si Tajvani,” tha Brian Liston, një studiues në Recorded Future, një kompani e sigurisë kibernetike me bazë në Massachusetts.

Një lagje e shkatërruar në Lahaina, Hawaii, muajin e kaluar. 
Kina i ka vënë zjarret në shënjestër të dezinformatave.

Nëse Kina angazhohet në operacionet e ndikimit për zgjedhjet vitin e ardhshëm, zyrtarët e inteligjencës amerikane kanë vlerësuar muajt e fundit,se ka të ngjarë të përpiqet të zvogëlojë Presidentin Biden dhe të rrisë profilin e ish-presidentit Donald J. Trump. 

Ndonëse kjo mund të duket kundërintuitive për amerikanët që kujtojnë përpjekjen e zotit Trump për të fajësuar Pekinin për atë që ai e quajti "virusi kinez", zyrtarët e inteligjencës kanë arritur në përfundimin se liderët kinezë preferojnë zotin Trump. Ai ka bërë thirrje për tërheqjen e amerikanëve nga Japonia, Koreja e Jugut dhe pjesë të tjera të Azisë, ndërsa zoti Biden ka ndërprerë aksesin e Kinës në çipat më të avancuar dhe pajisjet e bëra për prodhimin e tyre.

Promovimi i një teorie konspirative nga Kina për zjarret vjen pasi zoti Biden i foli në Bali vjeshtën e kaluar Xi Jinping, presidentit të Kinës, për rolin e Pekinit në përhapjen e një dezinformimi të tillë. Sipas zyrtarëve të administratës, zoti Biden e kritikoi me zemërim zotin Xi për përhapjen e akuzave të rreme se Shtetet e Bashkuara operonin laboratorë të armëve biologjike në Ukrainë.

Nuk ka asnjë tregues se Rusia dhe Kina po punojnë së bashku në operacionet e informacionit, sipas studiuesve dhe zyrtarëve të administratës, por ata shpesh i bëjnë jehonë mesazheve të njëra-tjetrës, veçanërisht kur bëhet fjalë për kritikimin e politikave të SHBA-së. 

Përpjekjet e tyre të kombinuara sugjerojnë se një fazë e re e luftërave të dezinformimit është gati të fillojë, e përforcuar nga përdorimi i mjeteve të AI.

"Ne nuk kemi prova të drejtpërdrejta të koordinimit midis Kinës dhe Rusisë në këto fushata, por sigurisht që po gjejmë përafrim dhe një lloj sinkronizimi," tha William Marcellino, një studiues në RAND dhe një autor i një raporti të ri që paralajmëron se AI do të mundësojë një "hapje kritike përpara" në operacionet e ndikimit global.

Zjarret në Hawaii – si shumë fatkeqësi natyrore këto ditë – shkaktuan thashetheme të shumta, raporte të rreme dhe teori konspirative pothuajse që në fillim.

Caroline Amy Orr Bueno, një studiuese në Laboratorin e Kërkimeve të Aplikuara të Universitetit të Maryland për Inteligjencën dhe Sigurinë, raportoi se një fushatë e koordinuar ruse filloi në Twitter, platforma e mediave sociale e njohur tashmë si X, më 9 gusht, një ditë pasi filluan zjarret.

Ajo përhapi frazën, "Hawaii, jo Ukraina", nga një llogari e errët me pak ndjekës përmes një sërë llogarish konservatore ose të krahut të djathtë si Breitbart dhe në fund të fundit media shtetërore ruse, duke arritur mijëra përdorues me një mesazh që synonte të zvogëlonte ndihmën ushtarake të SHBA në Ukrainë.

Presidenti Biden ka kritikuar presidentin e Kinës Xi Jinping për përhapjen e akuzave të rreme për Shtetet e Bashkuara dhe Ukrainën

Aparati shtetëror i medias kineze shpesh i bën jehonë temave ruse, veçanërisht armiqësisë ndaj Shteteve të Bashkuara. Por në këtë rast, ajo ndoqi edhe një fushatë të veçantë dezinformimi.

Recorded Future raportoi fillimisht se qeveria kineze ndërmori një fushatë të fshehtë për të fajësuar një "armë moti" për zjarret, duke identifikuar postime të shumta në mes të gushtit duke pretenduar në mënyrë të rreme se MI6, shërbimi i inteligjencës së jashtme britanike, kishte zbuluar "të vërtetën e mahnitshme pas zjarrit..”

 Postimet me gjuhën e saktë u shfaqën në faqet e mediave sociale në të gjithë internetin, duke përfshirë Pinterest, Tumblr, Medium dhe Pixiv, një faqe japoneze e përdorur nga artistët.

Llogari të tjera joautentike përhapin përmbajtje të ngjashme, shpesh të shoqëruara me video të etiketuara gabimisht.

Sipas Recorded Future, përmbajtja kineze shpesh i bënte jehonë postimeve nga teoricienët e konspiracionit dhe ekstremistët në Shtetet e Bashkuara, duke përfshirë supremacistët e bardhë.

Fushata kineze operoi në shumë prej platformave kryesore të mediave sociale – dhe në shumë gjuhë, duke sugjeruar se synonte të arrinte një audiencë globale. Qendra e Analizës së Kërcënimeve të Microsoft-it identifikoi postime joautentike në 31 gjuhë, duke përfshirë frëngjisht, gjermanisht dhe italisht, por edhe në ato më pak të spikatura si Igbo, Odia dhe Guarani.

Imazhet e krijuara artificialisht të zjarreve në Hawaii të identifikuara nga studiuesit e Microsoft u shfaqën në platforma të shumta, duke përfshirë një postim në Reddit.

 "Këto imazhe specifike të krijuara nga AI duket se përdoren ekskluzivisht" nga llogaritë kineze të përdorura në këtë fushatë, tha Microsoft në një raport. "Ata nuk duket se janë të pranishëm diku tjetër në internet."

Clint Watts, menaxheri i përgjithshëm i Qendrës së Analizës së Kërcënimeve të Microsoft-it, tha se Kina duket se ka miratuar librin e lojërave të Rusisë për operacionet e ndikimit, duke hedhur bazat për të ndikuar politikën në Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera.

"Kjo do të ishte Rusia në 2015," tha ai, duke iu referuar robotëve dhe llogarive joautentike që Rusia krijoi përpara operacionit të saj të gjerë të ndikimit në internet gjatë zgjedhjeve të 2016. “Nëse shikojmë se si aktorët e tjerë e kanë bërë këtë, ata po ndërtojnë kapacitete. Tani ata po ndërtojnë llogari që janë të fshehta.”

Fatkeqësitë natyrore kanë qenë shpesh në qendër të fushatave dezinformuese, duke lejuar aktorët e këqij të shfrytëzojnë emocionet për të akuzuar qeveritë për mangësi, qoftë në përgatitje apo në përgjigje. Qëllimi mund të jetë minimi i besimit në politika të veçanta, si mbështetja e SHBA-së për Ukrainën, ose në përgjithësi për të mbjellë mosmarrëveshje të brendshme. 

Duke sugjeruar se Shtetet e Bashkuara po testonin ose përdornin armë sekrete kundër qytetarëve të vetë, përpjekja e Kinës dukej gjithashtu që synonte ta përshkruante vendin si një fuqi të pamatur dhe militariste.

"Ne kemi qenë gjithmonë në gjendje të bashkohemi në vazhdën e fatkeqësive humanitare dhe të ofrojmë lehtësim pas tërmeteve, uraganeve ose zjarreve," tha z. Smith, i cili po prezanton disa nga gjetjet e Microsoft në Kongres.

Burimi: New York Times/Përshtati Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë