Ngjarje

KiE mbështet 4 projektligje për reformën në burgjet shqiptare

Këshilli i Europës (KiE) vazhdon t’u japë një asistencë autoriteteve shqiptare për sistemin e burgjeve. Një projekt i fundit i diskutuar në Tiranë, adreson nevojat për kryerjen e reformave në mënyrë sistematike dhe strategjike për të rritur standardet në institucionet e kryerjes së dinimit.
Projekti mbështet autoritetet në hartimin e një plan-veprimi katërvjeçar për burgjet dhe gjithashtu siguron ekspertizë ligjore për katër projektligje në fushën e ekzekutimit të sanksioneve penale, të përgatitura nga Ministria e Drejtësisë, përkatësisht për ligjin e të drejtave dhe trajtimin e të burgosurve, projektligjin për policinë e burgjeve, për shërbimin e kontrollit të brendshëm, ankesat në sistemin e ekzekutimit të sanksioneve penale dhe projektligjin dhe shërbimin e provës.

Mbledhja për prezantimi i draftit të Planit të Veprimit të Burgjeve në Shqipëri


Projekti gjithashtu ofron mbështetje për ndërtimin e institucioneve që do të luftojnë ekstremizmin në Shqipëri, veçanërisht në lidhje me burgjet, shoqërinë civile dhe komunitetet fetare. Prezantimi i draftit që u krye përpara dy ditësh në Tiranë, ka për qëllim të ndihmojë Ministrinë e Drejtësisë për të arritur objektivat e planit. Gjithashtu, pjesëmarrësit pranuan së projekt-plani përcakton një mision shumë të qartë që mund të arrihet përmes zbatimit tërësor dhe ndërsektorial të objektivave specifikë. Të gjithë pjesëmarrësit ranë dakord se vetëm një shërbim profesional i burgjeve mund të sigurojë një kujdestari të sigurt, humane dhe që garanton mbrojtjen e të drejtave dhe dinjitetin e personave të burgosur, për t’u ofruar atyre mundësi rehabilitimi, për komunitete më të sigurta.

Në këtë diskutim morën pjesë tre këshilltarë të Këshillit të Evropës, 30 përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, zyra e Avokatit të Popullit dhe shoqëria civile. Tryeza u financua nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, për t’u zbatuar më pas nga Këshilli i Evropës.
Ekspertiza ligjore u hartua duke marrë shkas nga vizita periodike e një delegacioni të Komitetit të Këshillit të Evropës për Parandalimin e Torturës, gjatë nëntorit të vitit të kaluar, për të vëzhguar zbatimin e rekomandimeve. Vëmendje të veçantë iu kushtua trajnimit dhe kushteve të ndalimit të personave në paraburgim dhe të burgosurve në disa institucione dhe burgje, si edhe gjendjes së të burgosurve me probleme mendore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë