Ngjarje

Këshilli i Evropës vlerëson Shqipërinë në luftën kundër dopingut

Grupi i Monitorimit i dërguar nga Këshilli i Evropës ka dalë me një raport ku shfaqet vlerësimi pozitiv i Shqipërisë në strukturën dhe funksionimin e organizatës antidoping për vitin 2023.
Gjithashtu, në raport vlerësohet puna e autoriteteve publike shqiptare në ruajtjen e sportit të pastër.
“Shqipëria ka ndërmarrë një sërë hapash pozitivë për të forcuar luftën kundër dopingut në legjislacionin kombëtar në mënyrë që të përmbushë detyrimin e saj ndërkombëtar. Ligji për Sportin nr. 79/2017 është një element thelbësor në këtë drejtim”.
Grupi i posaçëm i monitorimit të situatës së dopingut në Shqipëri, ka theksuar progresin e bërë në vend si në “forcimin e luftës kundër dopingut si në legjislacion ashtu edhe në praktikë”.
Megjithatë, në raport rekomandohet që OKAD (Organizata Shqiptare Anti-Doping) të kthehet nga organizatë në institucion publik në mënyrë që të ruajë pavarësinë.
“Që nga themelimi i tij, OKAD ka demonstruar profesionalizëm, pavarësi operacionale dhe gatishmëri për të promovuar sportin e pastër dhe për të luftuar kundër dopingut në sport. Megjithatë, fakti që OKAD drejtohet nga tre federata kombëtare – edhe nëse roli i tyre aktual është kryesisht nderi – mund ta ekspozojë OKAD ndaj rrezikut të ndikimit apo edhe shpërbërjes. Duhet të parashikohet një strukturë e ndryshme ligjore për të siguruar pavarësinë e vazhdueshme të OKAD”.
Gjithashtu në raport sugjerohet edhe forcimi i bashkëpunimit midis policisë, doganave dhe autoriteteve shëndetësore për të trajtuar më mirë trafikun e substancave doping.
“Autoritetet shqiptare ftohen gjithashtu të përfshijnë module anti-doping në trajnimin e zyrtarëve të zbatimit të ligjit dhe në kurrikulën mjekësore dhe ratifikimin e Protokollit Shtesë të Konventës Anti-Doping”, shkruhet në raport.

Këshilli i Evropës/Ministria e Arsimit dhe Sportit

Ekipi i ekspertëve nga Këshilli i Evropës zhvilloi një vizitë vlerësimi në Shqipëri më 5 dhe 6 dhjetor 2023, për të vlerësuar programin, praktikat dhe politikat antidoping të vendit në kuadër të zbatimit të Konventës Anti-Doping.
Ekipi u takua me përfaqësues të autoriteteve publike përgjegjëse për sportin në Shqipëri, përfshirë nga Ministritë e Arsimit dhe Sportit, Shëndetësisë, Punëve të Brendshme dhe nga Agjencia Kombëtare Shqiptare Anti-Doping (ALB NADO), federatat e sportit dhe Komiteti Olimpik Shqiptar, si dhe përfaqësues të agjencive ligjzbatuese dhe organeve të tjera të përfshira në luftën kundër dopingut.
Vlerësimet janë pjesë e mandatit të Grupit të Monitorimit: çdo vit ai analizon sistemet antidoping të Shteteve Palë në Konventë nëpërmjet një pyetësori dhe vizitash vlerësimi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë