Drejtësia

Kërkoi rikthimin në detyrë, mjeku Edvin Prifti rrëzohet sërish

Mjeku kardiolog Edvin Prifti, i akuzuar për korrupsion, do të vijojë të jetë i pezulluar për të mos ushtruar profesionin e tij.

Vendimi është marrë këtë të mërkurë nga Gjykata e Posaçme anti Korrupsion, e cila ka rrëzuar kërkesën e mjekut Prifti që kishte kërkuar ndryshimin e masës së sigurisë.

Pak ditë më parë, ishte Gjykata e Lartë që rrëzoi të njëjtën kërkesë të mjekut të njohur. Togat e zeza shqyrtuan rekursin e Priftit që kërkonte të rikthehej në detyrë dhe rekursin e SPAK që kërkonte që të ashpërsonte masën e sigurisë dhe ta rikthente në qeli. Gjykata vendosi për mospranimin e të dy rekurseve.

Prokuroria e Posaçme ka zgjatur me 6 muaj afatin e hetimeve për mjekun që ra në rrjetin e përgjimeve të SPAK gjatë hetimit që kishte nisur për ish-gjyqtaren e Krujës Enkeleda Hoxha.

Prifti u arrestua me urdhër të SPAK më 13 shkurt 2021 me akuzën e korrupsionit. Aktualisht kardiologu është nën masën e sigurimit “Pezullim i ushtrimit të një detyre apo shërbimi publik”, i dyshuar për kryerjen e veprave të “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Kardiokirurgu Prifti akuzohet se i mori ryshfet kryesekretares së Gjykatës së Krujës, Manuela Mallakuçi për t’i operuar nënën. Gjatë kontrollit, atij iu gjetën 250 mijë euro dhe 16 milionë lekë cash në zyrë dhe shtëpi.

Mjeku Edvin Prifti u lirua nga burgu në muajin mars 2021 me vendim të Gjykatës së Posaçme të Apelit, ndërsa pak kohë më parë SPAK kërkoi rikthimin e tij në qeli, nën akuzat për korrupsion.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë