Ngjarje

Kërkoi azil politik, zbulohet letra e Agron Tufës: Ish-sigurimi vrau dëshmitarin e burgut të Qafë-Barit

Drejtori Ekzekutiv i Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasoja e Komunizmit, Agron Tufa ka kërkuar azil politik në Zvicër për shkak të kërcënimeve të tij për jetën. Tufa mësohet se ka ikur përpara 25 nëntorit dhe më pas me anë të një letre drejtuar presidentit Ilir Meta, kryeparlamentarit Gramoz Ruçi, kryeprokurores Arta Marku, si dhe kryetarit të Bordit të ISKK-së, Uran Butkës jepen arsyet e largimit dhe njëherësh e dorëheqjes nga posti që mban si drejtori i këtij institucioni.

Pas kësaj letre, Bordi i Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit është mbledhur këtë të mërkurë ku u njoh me dorëheqjen e Drejtorit Ekzekutiv, Agron Tufa dhe e ka pranuar atë. Është pikërisht ky institucion që ka bërë publike edhe letrën e drejtuar për arsyet e dorëheqjes.

Letra nga vendi i azilkërkimit

Në një letër të gjatë, Tufa shpjegon arsyet dhe sulmet e bëra ndaj tij, apo ndaj vendimeve për të denoncuar me fakte krimet kundër komunizmit. Një ndër faktet kryesore, sipas Tufës, lidhet edhe me denoncimin e bërë ndaj një prej xhelatëve të burgut të Qafë-Barit, Edmond Cajës, ku për këtë ai aludon se është vrarë në mars të këtij viti edhe një ish i përndjekur politik, që ka vujtuar torturat në burgje.

Faksimile e letres qe Agron Tufa i drejtoi presidentit, kryeparlamentarit dhe kryeprokurores


"Paralajmërimet e tyre nisën të dërgoheshin qyshkur ne bëmë kallëzim e parë penale ndërkombëtar në Gjykatën e Mynihut të një prej kriminelëve të kamp-burgjeve komuniste Edmond Caja dhe e dubluam këtë edhe me kallëzimin institucional në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Tiranë (në të dyja rastet për "krime kundër njerëzimit"). Dy javë më vonë, ish-oficerët e Sigurimit, shokë e kolegë të Cajës, vunë në punë skenarin mafioz me ekzekutimin e dëshmitarit kyç, të ndjerin Haxhi Baxhinozi (16 mars 2019)", thuhet në këtë letër. Baxhinozi u vra në mars në kodrat e liqenit Artificial në Tiranë, ku ishte i shoqëruar së bashku me të birin. Në media asaj kohe u përfol se ngjarja lidhej për shkaqe të borxheve të mëdha.

Viktima Haxhi Baxhinozi i vrare me 16 mars 2019


Tufa në letrën e tij përmend edhe një rast tjetër, ku sipas tij pretendohet se është kërcënuar edhe një tjetër familje në Itali për të mos dëshmuar krimet e regjimit komunist. Në këtë ai shton se prej këtyre akteve u shtuan edhe presionet dhe kërcënimet ndaj familjes së tij.

"Por në mënyrë këmbëngulëse kërcënimet ndaj meje dhe familjes sime u dendësuan pas publikimit në shtyp të një dëshmie rrënqethëse të një nëne, nga familja "kulake", që rrëfen me hollësi, me data e emra personash, rrëmbimin e djalit të saj dhe mbajtjen fshehur një koloni fëmijësh, që shfrytëzohej për t'i transplantuar gjak diktatorit. Shantazhet dhe më pas masakrimi me pasojë gjymtimin e vëllait të kësaj nëne ndodhën brenda javës në Varese të Italisë, me kusht që të mos hapnin gojën. Për këtë kam konfirmime e regjistrim me shkrim. Rreth meje filluan të dendësohen "vizitorët", rreth shtëpisë, pas mesnatës. E pashë veten në rrezik, mes një arbitrateti total dhe për këtë pata një kohë të gjatë për ta konfirmuar, që nga sulmi e kërcënimi i parë (prill 2017) dhe deri tek kërcënimet e fundme tashmë, unë kam ndjekur rrugën ligjore, me mjetet e mia demokratike e të ligjshme që duhet të sigurojë një shtet demokratik për qytetarët e vet", shkruan më tej Tufa.

Sakaq, shkrimtari Tufa i cilëson si formale gjyqet për të kërkuar drejtësi pas kallëzime të bëra, duke nënkuptuar edhe përplasjet në gjyq me deputetin e PS-së, Spartak Braho.

"I ndodhur fillikat…, mua, i nderuar kryetar nuk më mbeti rrugë tjetër, sepse ushtrimi i të drejtave të mia legjitime mbrojtëse e demokratike nu kishin më pikë kuptimi. Është ky i nderuar kryetar, shkaku i dorëheqjes sime, që parashtroj këtë letër në një nga kampet azil kërkuesve politikë. Dy herët e fundit, brenda muajit nëntor, qentë e liruar nga zinxhiri i diktaturës së vjetë në diktaturën e re iu afruan shumë afër familjes sime. Kush do të më mbronte mua e fëmijët e mi? Unë pata kohën e mjaftueshme për ta kuptuar se kush janë ata e çfarë janë në gjendje të bëjnë", shkruan Tufa, duke shtuar se qëndrimi i tij në Tiranë së bashku me familjen e tij do të ishte i palogjikshëm, e do të kishte një çmim tragjik dhe kurrë të kthyeshëm.

Kërcënimet në Facebook dhe përplasja me Brahon

Në shtator të 2019, një person i panjohur kërcënoi Tufën dhe avokatin e tij Kujtim Cakrani përmes një mesazhi në Facebook: “Ju ballista e fashista, që sot bëheni avoketër dhe kërkoni të mbroni sojin tuaj, që nxin luftën e hedh baltë dëshmorëve, jeni ata të djeshmit, që duheshit vrarë, të mos mbinit ju e që keni marrë zemër sot. S’ka avokat në botë të fshijë gjakun e tyre dhe të mbrojë atë Institut kriminel me Agron Tufë e të tjerë se ju jeni më të poshtër se armiqtë që mbroni…Ju dhe familjarët tuaj ballistë e fashistë nuk do keni vend më tek ne, se e shkruat vetë fundin tuaj. Si dolët avash nga llumi, si pa kuptuar, ashtu do t’ju heqim dhe ne avash të mëdhenj e të vegjël, se ka qenë gabim i madh që për ju pati mëshirë. Të gjithëve gropa ju pret!”.

libri

Disa muaj më parë, deputetë socialistë e cilësuan punën e Institutit “baltë mbi dëshmorët” dhe kërkuan largimin e drejtorit Agron Tufa. Ndërsa në muajin korrik, socialistët kufizuan me ligj periudhën kohore të studimeve që mund të kryejë ISKPK. Tufa pati edhe përplasje të forta edhe me deputetin e PS-së, Spartak Braho, ku për shkak të akuzave të ndërsjellëta përfunduan në gjyq. Shkak i këtyre përplasje ishte botimi i Instituti i librit "Krimet e komunistëve gjatë luftës 1941-1945" ku përfshiheshin edhe emrat që janë si dëshmorë. Kjo është kundërshtuar në media edhe nga një pjesë e intelektualëve që njihen pro luftës nacionalçlirimtare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë