Ka ndodhur

Kërkoheshin nga djemtë, gjenden të vdekur nga gazi në banesë një burrë dhe një grua në Golem

Një burrë dhe një grua kanë humbur jetën si pasojë e asfiksisë nga gazi në banesë në një apartament në plazhin e Golemit në Kavajë.

Trupat e pajetë të të dyve janë gjetur mbrëmjen e të shtunës nga policia pas denoncimeve të familjarëve të tyre, pasi kishin humbur kontaktet me ta.

Mihal Jani, 60 vjeç dhe Anila Llulla, 50 vjeçe u gjetën të vdekur këtë të shtunë në katin e dytë të një pallati në Golem.

Burime zyrtare të policisë thonë se ngjarja u zbulua në rreth orës 17:45. Shtëpia ishte e 60-vjeçarit Mihal Jani, ndërsa Anila Llulla banonte në Tiranë.

Lidhja mes viktimave mbetet e paqartë, megjithatë mësohet se 50-vjeçarja ishte larguar nga shtëpia e saj në Tiranë para dy ditësh. Djali i saj, i shqetësuar për vendndodhjen e së ëmës, pasditen e së premtes e kishte denoncuar largimin e saj në polici.

Nga ana tjetër, djali i Mihal Janit, po gjatë ditës së djeshme, por edhe këtë të shtunë, telefononte të atin, por ai nuk përgjigjej.

Në këto kushte, ai shkoi gjatë pasdites në shtëpinë e 60-vjeçarit. Por kur nuk mundi ta hapte derën kërkoi ndihmën e zjarrfikëses dhe policisë. Kur ata të fundit u futën në shtëpi i gjetën të pajetë.

Dyshimet se ngjarja ka ndodhur një ditë më parë përforcohen edhe nga dëshmia e fqinjëve, të cilët thanë se kishin ndjerë era gaz.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë