Qendra Kombëtare e Kinematografisë bën thirrje për propozime të filmave shqiptarë për edicionin e 94-të të çmimeve “Oscars”. Institucioni njofton se duhet të paraqiten vetëm prodhime kinematografike, që janë realizuar në dy vitet e fundit.
“Qendra Kombëtare e Kinematografisë, informon shtëpitë kinematografike shqiptare, që kanë interes për të paraqitur filmin artistik të prodhuar gjatë viteve 2020-2021 për t’u përzgjedhur nga komisioni përzgjedhës i QKK si kandidatura e Shqipërisë në kategorinë ‘International Feature Film Award’, edicioni i 94 ‘Oscars’”, thuhet mes të tjerave për filmat.
Produksioni shqiptar që ka interes, duhet të paraqesë në Qendrën Kombëtare të Kinematografisë kërkesë për pjesëmarrje në garën “Çmimi për Filmin Artistik Ndërkombëtar”, të edicionit të 94 të “Oscars” dhe deklaratë që filmi përmbush kriteret e konkurrimit. Në këtë kategori përfshihen filmat e metrazhit të gjatë artistik, dokumentarë, dhe të animuar më të gjatë se 40 minuta, që janë shfaqur/do të shfaqen në kinema apo VOD platformë për së paku 7 ditë rresht, jo më herët se 1 janar 2021 dhe jo më vonë se 31 dhjetor 2021.
Afati për aplikimet
Qendra Kombëtare e Kinematografisë bën thirrje për propozime për edicionin e 94-të të çmimeve “Oscars”, që janë të rëndësishëm në fushën e kinematografisë në botë. Por afati i fundit për propozimet nga produksionet shqiptare është deri në mesin e muajit të ardhshëm. “Afati i fundit për dorëzimin e kërkesës dhe materialeve shoqëruese do të jetë jo më vonë se data 15 shtator 2021”, bën me dije QKK, që ka publikuar dhe linkun me specifikimet teknike të filmave sipas kritereve të “Academy of Motion Picture Arts and Sciences” (AMPAS).
Shqipëria në çmimet “Oscars 2021” çoi propozim filmin “Open Door” të regjisorit Florenc Papas. Premiera botërore e këtij filmi ka qenë në festivalin e 25-të ndërkombëtar të Sarajevës, në 2019. Komisioni përzgjedhës në atë kohë i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë për filmin artistik “Open Door” përbëhej nga drejtori Eduart Makri, Esat Musliu, Bujar Alimani, Ndriçim Xhepa, Agron Domi dhe Genc Përmeti. Kandidatë ishin edhe filmat “Verë pa kthim” me regji nga Besnik Bisha, “Takim në ajër” nga regjisori Ardit Sadiku. Votimi do të bëhej online për shkak të masave kundër Covid-19.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




