Grupet e emergjencës shqiptare dhe të huaja të angazhuara në operacionin e kërkim-shpëtimit në rrënojat e hotelit “Mira Mare” në Durrës, kanë ndërprerë punën. Pritet që kërkimet të rinisin ditën e shtunë, pas dyshimeve se nën rrënoja ndodhet ende një person.
Ndërkohë, ministri i Pushtetit Vendor, Bledi Çuçi njoftoi se i gjithë operacioni i kërkim-shpëtimit po shkon drejt fundit dhe se tashmë po hyhet në një tjetër fazë, atë të verifikimit dhe identifikimit të ndërtesave të pabanueshme.
“ Grupe të përbashkëta pune me inxhinierë dhe teknikë shqiptarë e të huaj do të bëjnë vlerësimin e gjendjes së godinave, izolimin e tyre sipas rastit dhe përllogaritjen e të gjitha dëmeve. Ky proces i paraprin përpjekjes tjetër të përbashkët për rindërtimin e shtëpive të shembura nga tërmeti shkatërrimtar dhe strehimin e të gjithë banorëve”, deklaron ministri përmes një postimi në rrjetet sociale.
Çuçi ishte mes përfaqësuesve të Qeverisë që priti dhe shoqëroi në vizitën e tij në Durrës Kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj. Ai falenderon Kosovën për ndihmën e dhënë.
“Veç pjesëmarrjes në operacionin e kërkim-shpëtimit, Kosova po jep një kontribut të çmueshëm edhe në strehimin e familjeve të mbetura pa shtëpi. Do të jemi bashkë edhe në punën e madhe që na pret për rindërtimin e menjëhershëm të banesave të reja”, shton ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.