Treg

Kërkesa e qeverisë për para uli yield-et e letrave me vlerë

Nga Gazeta 'SI' - Kërkesa e lartë e qeverisë për para, ka ulur interesin e letrave me vlerë. Ky është konkluzioni i Bankës së Shqipërisë, në raportin e fundit ku thekson se diferenca e tyre nga norma bazë mbetet minimale. Kjo, analizon BSH, ka ndikuar dhe në rënien e normave të kredive.

Ecuria e yield-eve ka reflektuar zhvendosjen e strukturës së financimit, nga bonot drejt obligacioneve afatgjata nga ana e qeverisë në muajt e fundit.

Yield-i 12-mujor shënoi 3.1% në ankandin e fundit në muajin tetor, duke rezultuar i njëjtë me mesataren e tremujorit të tretë dhe poshtë vlerave të gjysmës së parë të vitit. Ndërkohë, primet e obligacioneve 3-, 5-, 7- dhe 15-vjeçare regjistruan një rritje mesatare prej rreth 0.26 p.p. këtë periudhë. Gjithsesi, niveli i tyre
mbetet shumë më poshtë se vlerat e fillimit të vitit dhe ato të një viti më parë.

Në afatgjatë, yield-i i borxhit të qeverisë parashikohet në rritje.

Në një këndvështrim afatgjatë, pjerrësia e kurbës së yield-eve nuk ka pësuar ndryshime thelbësore. Krahasuar me momentin e fillimit të normalizimit të politikës monetare, kurba është zhvendosur për lart dhe ka pjerrësi të pandryshuar.

Në tregun valutor, luhatshmëria dhe pasiguria e shtuar që karakterizuan muajin korrik janë reduktuar dhe kursi i këmbimit kundrejt euros është luhatur në një interval gjithnjë e më të ngushtë gjatë periudhës gusht – tetor, thekson Banka.

“Tregu valutor është stabilizuar pas pasigurive që karakterizuan muajin korrik. Leku vijon të jetë i mbiçmuar në terma vjetorë, por raportet e kërkesës dhe ofertës shfaqen të stabilizuara pranë niveleve aktuale të kursit. Tregu nuk ka shfaqur presione të shtuara për likuiditet, ndërkohë që Banka e Shqipërisë ka vijuar të injektojë likuiditet në sistem. Shuma e injektuar ka qenë lehtësisht më e lartë se në tremujorin e dytë të vitit”, shkruhet në raportin e BSH.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë