Gazeta Si – Presidenti amerikan Donald Trump ka konfirmuar se ndërroi fshehurazi avion, ndërsa po largohej nga një samit i NATO-s në Turqi muajin e kaluar, për shkak të një kërcënimi të mundshëm.
“Unë zgjedh Shërbimin Sekret dhe ushtrinë. Ata donin që unë të udhëtoja me një fluturim tjetër, një aeroplan tjetër, – u tha Trump gazetarëve. – Thjesht duhet të bëj atë që thonë ata”.
Zbulimi vjen pas raportimeve se Trump hipi në Air Force One më 8 korrik, përpara kamerave televizive, para se të transportohej fshehurazi në një avion ushtarak me ndihmën e një kamioni ushqimor.
Por ndërrimi i avionit në minutën e fundit ka ngritur pikëpyetje nëse personat që mbetën në avionin “karrem” ishin në rrezik.
Megjithatë, Trump tha të martën se avioni në të cilin hipi në vend të tij mund të kishte qenë në rrezik edhe më të madh.
“Mendoj se, në fakt, avioni me të cilin udhëtova ishte në rrezik më të madh. Mendoj se edhe unë isha në rrezik më të madh”.
Zyrtarë të cituar nga mediat amerikane thanë se inteligjenca e SHBA kishte evidentuar një kërcënim të besueshëm, për lëshimin e një rakete kundër avionit, ndërsa raportohet se një person ishte parë më raketë hedhës portativ pranë samitit të NATO.
Gazetarët dhe disa pjesëtarë të stafit të Shtëpisë së Bardhë që ndodheshin në bord nuk e dinin se presidenti amerikan ishte nxjerrë fshehurazi, si pjesë e një manovre të sofistikuar, në përgjigje të një kërcënimi të mundshëm nga Irani.
Gjatë pjesëmarrjes në samitin e Ankarasë në muajin korrik, Trump tha se ishte shënjestra numër një e Iranit.
Kërcënimet e vazhdueshme iraniane ndaj Trumpit kanë ndikuar drejtpërdrejt në masat e sigurisë rreth tij, duke e bërë konfliktin SHBA-Iran edhe personal për presidentin dhe duke e detyruar të lëvizë në mënyrë të fshehtë për të shmangur një atentat të mundshëm
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje