Bota

Kërcënime me bomba ndaj të përzgjedhurve të Trump për kabinetin e ri presidencial! Reagon FBI

Disa nga të emëruarit për kabinetin dhe administratën e Presidentit të zgjedhur Donald Trump u bënë objekt sulmesh të dhunshme të martën në mbrëmje dhe të mërkurën në mëngjes, tha zëdhënësja e Trump, Karoline Leavitt.

“Këto sulme përfshinin kërcënime me bomba dhe incidente të ‘swatting’-ut,” deklaroi Leavitt.

“Forcat e rendit dhe autoritetet vepruan me shpejtësi për të garantuar sigurinë e të gjithë të shënjestruarve. Presidenti Trump dhe ekipi i Tranzicionit janë mirënjohës për ndërhyrjen e tyre të shpejtë.”

Elise Stefanik, e zgjedhur për ambasadore të SHBA-së në OKB dhe përfaqësuese republikane e New York-ut, u shënjestrua gjithashtu. Zyra e saj njoftoi përmes një postimi në X (ish-Twitter):

“Këtë mëngjes, Kongresistja Elise Stefanik, bashkëshorti dhe djali i tyre trevjeçar po ktheheshin në shtëpi në Saratoga County nga Uashingtoni për Ditën e Falënderimeve kur u informuan për një kërcënim me bombë ndaj shtëpisë së tyre. Forcat e rendit të Shtetit të New York-ut, të qarkut dhe Policia e Kapitolit reaguan menjëherë me profesionalizëm të lartë,” thuhej në deklaratë, duke falënderuar autoritetet për ndërhyrjen e tyre.

FBI-ja deklaroi se po i merr kërcënimet shumë seriozisht:

“Jemi në dijeni të kërcënimeve të shumta me bomba dhe rasteve të ‘swatting’-ut ndaj të emëruarve të administratës së ardhshme dhe po bashkëpunojmë ngushtë me partnerët tanë të rendit. I trajtojmë të gjitha kërcënimet me seriozitet maksimal dhe inkurajojmë qytetarët që të raportojnë çdo veprim të dyshimtë menjëherë tek autoritetet,” thuhej në deklaratën e FBI-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë