Ngjarje

Këngëtari Gena në telashe për lekët e dasmës

Nuk e thonë kot “dy martohen, 100 tërbohen”. Rasti më poshtë që tani tregohet me të qeshur si pas gëzimit të një dasme, ka ndodhur në Tiranë. Dhe në “rrëmujat” parapërgatitore të dasmës, numrit të dasmorëve, këngëve që do këndohen, ku do ulen krushqit e të ftuarit, telashe më vete ka pasur edhe këngëtari Gena. Personi që organizonte dasmën dhe menaxherja e këngëtarit nuk e kanë dëgjuar mirë njëri-tjetrin dhe kjo i ka sjellë andralla këngëtarit, që më pas e ka marrë vetë situatën në dorë dhe ka zgjidhur keqkuptimin.

Gena është një ndër këngëtarët më të pëlqyer, jo vetëm për koncerte dhe aktivitete në lokalet e natës, por ai është mes më të preferuarve edhe në ceremonitë e dasmave. Keqkuptimi mes një familjeje që e kishte ftuar si këngëtar në dasmën e shtrenjtë e ka shqetësuar këngëtarin me emrin e artit Gena, që quhet Briken Lito. Për këtë “incident” është vënë në lëvizje policia dhe prokuroria, e cila në fund ka konstatuar se dasmorët dhe këngëtari e kanë zgjidhur çështjen dhe secili i ka dhënë dorën tjetrit.

Foto ilustruese nga lokali "Iliria Palace"

Megjithatë nga materiali që Gazeta Si disponon tregohet se në çfarë belaje kishte hyrë këngëtari, për të cilin si fillim akuzën e hodhi babai i dhëndrit dhe më pas u tërhoq, menjëherë sapo analizuan edhe njëherë se çfarë kishin folur para dasmës.

Një burim i thotë Gazetës Si se dasma është mbajtur në fund të muajit korrik në lokalin “Ilira Palace” dhe çifti ka pasur në listën e këngëtarëve të preferuar për ditën e altarit, Genën dhe Axhela Peristerin. Ndaj babai i dhëndrit ka folur me menaxheren, ku dhe është rënë dakord që ditën e dasmës do të këndonte Gena. Për këtë do të paguhej 5 mijë euro dhe gjithashtu edhe Anxhela Peristeri dhe ajo do të merrte 2500 euro. Të dy ata janë parapaguar në formën e kaparit, përkatësisht me 1 mijë dhe 500 euro. Babai i dhëndrit dhe këngëtari kanë rënë dakord që lekët e hedhura gjatë valleve do ti merrte çifti dhe jo këngëtarët apo orkestra. Por kur ka përfunduar dasma babai i dhëndrit ka konstatuar se shuma e lekëve të hedhura ishte shumë e vogël, pavarësisht se në valle të ndryshme të çiftit siç tregonin edhe kamerat, ishin hedhur sasi të konsiderueshme eurosh dhe paundësh.

Nga marrja e deklarimit këngëtares Anxhela Peristeri, ajo shpjegon se kishte rënë dakord të paguhej 2500 euro dhe se ajo nuk di asgjë se çfarë ka diskutuar pas dasmës familja e dhëndrit me Genën dhe menaxheren.

Anxhela Peristeri - Gazeta Si, 9 gusht 2019

Por çfarë thotë Gena ? Sigurisht që i prekur nga kjo situatë dhe duke theksuar se është hera e parë që i ndodh diçka e tillë e sikletshme, këngëtari ka sqaruar se si ka ndodhur keqkuptimi.

Këngëtari përshkruan se kishte kënduar së bashku me orkestrën deri në orën 4.30 të mëngjesit dhe se duke qenë që kishte planifikuar një udhëtim jashtë vendit, ishte larguar herët bashkë me orkestrën, pasi atij dhe grupit i ishte bërë pagesa sipas marrëveshjes paraprake. Të nesërmen tregon këngëtari e ka marrë në telefon babai i dhëndrit B.S, i cili i thoshte që lekët e hedhura i takojnë familjes së tij. “U habita shprehet më tej Gena. “I thashë se në të gjitha rastet lekët i merr orkestra”, por shtova se do pyes menaxheren si është bërë marrëveshja dhe do të them.

Të dy, edhe babai i dhëndrit edhe këngëtari kanë kuptuar se lekët i kishte marrë orkestra pasi nuk ishte kuptuar “kontrata e dasmës” mes të dyve. Madje në një moment të dytë pasi këngëtari dhe B.S janë sqaruar,  “dasmori” ka thënë i kënaqur se nuk ka më asnjë mosmarrëveshje dhe se lekët i janë kthyer. Po të shkuara të harruara dhe jetë të lumtur çiftit, të cilët sidoqoftë kanë ngelur tej mase të kënaqur nga këngët e Genës dhe të Anxhela Peristerit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë