Analize

Kë “pëlqen” SHBA për kryeministër, Vjosën apo Albinin?

Ndërsa në Prishtinë ka nisur numërimi i votave të diasporës, rreth 13 mijë e 500, të cilat mund të përmbysin diferencën mes Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani është ftuar në Shtëpinë e Bardhë. Sipas KQZ-së, deri tani Albin Kurti është i pari nga zgjedhjet e 6 tetorit. VV dhe LDK kanë nisur bashkëpunimin për qeverinë e re në Kosovë, por LDK nuk është shprehur se e mbështet Albin Kurtin për kryeministër, kjo pasi partia e Isa Mustafës thotë se edhe një votë e panumëruar mund të bëjë diferencën mes dy partive të opozitës që mbajnë për momentin vendin e parë dhe të dytë më një diferencë të vogël votash.

E në këtë situatë, ftesa për kandidaten për kryeministre të LDK-së, Vjosa Osmani për t'u takuar më stafin e ngushtë të presidentit Donald Trump në Uashington duket se nuk është rastësi.

Ajo ka postuar një foto në faqen e saj në Facebook, ku bëri të ditur se është pritur nga John Erath, që është Drejtor për Europën në Shtëpinë e Bardhë.

“Kënaqësi të pritem sot në Këshillin për Siguri Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, nga zoti John Erath, Drejtor për Europën”, tha Osmani. “Patëm diskutime shumë produktive rreth prioriteteve dhe sfidave që e presin Kosovën gjatë muajve e viteve në vijim”, shtoi ajo.

Por çfarë sinjali po përpiqen të dërgojë amerikanët me këtë ftesë dhe a do të thotë ftesa në Shtëpinë e Bardhë se Uashingtoni parapëlqen Osmanin si kryeministre?

Albin Kurti takon Ambasadorin Britanik në Kosovë. Gazeta Si, 16 tetor 2019

Kosova është në pritje të formimit të një qeverie të re që do të përballet me shumë sfida, mes të cilave edhe dialogu me Serbinë. SHBA-ja ka caktuar dy përfaqësues të posaçëm për arritjen e një marrëveshje me Beogradin, por i mungon një element i rëndësishëm: Një qeveri e besuar që mund t’ia ngarkojë këtë mision në Prishtinë.

Dhe nuk është sekret që Albin Kurti nuk është i preferuari i ndërkombëtarëve. Ai është treguar i gatshëm për heqjen e taksës, kërkesën kyçe të komunitetit ndërkombëtar, por nuk e ka hedhur poshtë idenë e bashkimit me Shqipërinë dhe nuk ka pranuar të heqë flamurin shqiptar nga zyra edhe pasi partia e tij doli e para pas zgjedhjeve të 6 tetorit, një vendim që duket se ka “xhindosur” Serbinë.

Në një deklaratë në Twitter, presidenti serb, Aleksandër Vuçiç ka kritikuar ashpër Kurtin për mbajten e flamurit shqiptar gjatë takimit me ambasadorin britanik në Kosovë.

"Pyetja për ambasadorin britanik në Prishtinë është se cilat zgjedhje fitoi Kurti, të cilin vend? Cilit vend i përket flamuri që qëndron prapa jush?", thotë Vuçiç duke iu referuar flamurit kuqezi.

Për të shmagur fotografimin me flamurin shqiptar, kur takoi Kurtin pas zgjedhjeve, ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnet nuk pranoi të fotografohej në zyrën e kreut të Vetëvendosjes, por në shkallët e selisë së partisë së tij. Marrëdhënia mes Kurtit dhe ambasadorit aktual amerikan në Kosovë ka qenë në fakt mjaft e mirë, krahasuar me marrëdhëniet e kreut të Vetëvendosjes me ambasadorët e kaluar të SHBA-së.

Marrëdhëniet e Kurtit me ambasadorët e SHBA-së

Dëshmia më e fuqishme kundër Kurtit nga SHBA-ja do të vinte me arrestimin në vitin 2007, ngjarje që sipas ambasadores së atëhershme amerikane në Kosovë Tina Kaidanow, ishte një lajm i mirë për Kosovën.

Ngjarjet e 10 shkurtit ku humbën jetën dy njerëz si rezultat i taktikave të dhunshme të Vetëvendosjes tregojnë se Kurti është i rrezikshëm për sigurinë publikë në Kosovë. Ne përkrahim mbajtjen e tij në burg”, – këto ishin fjalët e Ambasadores Kaidanow, nëse u besojmë raporteve konfidenciale të botuara nga Wikileaks, e cila i cilësonte politikat e Kurtit si të “rrezikshme”.

Albin Kurti, Gazeta Si, 16 tetor 2019

Një qëndrim të ashpër do të mbante edhe ambasadori Chris Dell sa herë që pyetej nga gazetarët nëse do t’i takonte liderët e Vetëvendosjes. “Nuk i kam takuar dhe nuk do t’i takoj”, shprehej ai.

Po ashtu edhe ish-Sekretarja e Shtetit Hillary Clintonm gjatë një vizite në Kosovë në vitin 2011, u takua me secilin lider politik në Kosovë, prej Kryeministrit Thaçi e deri tek përfaqësuesit e partive minoritare, prej Pacollit e deri te Isa Mustafa, por jo me Albin Kurtin.

Dyshimi i SHBA-ve ndaj Vetëvendosjes duket se është shuar me kalimin e kohës, pasi 10 vite më parë diplomatët amerikanë dhe europianë nuk pranonin të shtrëngonin duart me Kurtin. Por me rritjen e mbështetjes së qytetarëve të Kosovës për Vetëvendosjen, komuniteti ndërkombëtar e përfshiu Kurtin në të gjitha takimet formale me liderët e partive.

Procesi më i rëndësishëm ku janë investuar ndërkombëtarët është dialogu Kosovë-Serbi, i cili kërkon vetëpërmbajtje politike. Por deri tani, Albin Kurti ka mbajtur një qëndrim të ashpër ndaj marrëveshjeve të nënshkruara me Serbinë, duke premtuar rishikimimin e tyre. Ai ka theksuar gjatë gjithë fushatës se sapo të marrë detyrën, do të rishqyrtojë të gjitha marrëveshjet e arritura në dialogun e udhëhequr nga Brukseli.

“Ne na nevojitet një komision që të mbikqyrë 33 marrëveshjet e realizuara përgjatë dialogut në vitin 2012 deri në vitin 2017”, ka theksuar Kurti.

Po ashtu Kurti deklaroi javën e kaluar se nuk do të pajtohet me Uashingtonin për rikthimin e menjëhershëm në tryezën e bisedimeve, duke thënë se dialogu nuk është në krye të listës së përparësive të tij. “Ky nuk është prioriteti im në ditën e parë të punës sime si kryeministër”, deklaroi kreu i VV-së në një intervistë për “AP”. Vetë presidenti serb ka deklaruar se Albin Kurti është njeriu i fundit me të cilin do të dëshironte të negocionte, për shkak të qëndrimit të tij të patundur kundër Beogradit.

Osmani nga ana tjetër ka rënë dakort për heqjen e taksës dhe rikthimin e menjëhershëm në tryezën e bisedimeve. Ajo ka theksuar se procesin e dialogut me Serbinë, në rast se bëhet kryeministre, do ta udhëheqë ajo dhe jo presidenti Hashim Thaci.

Osmani ka më shumë përvojë në fushën e negociatave dhe dialogut, pasi ka qenë avokatja që ka fituar gjyqin për Pavarësinë e Kosovës kundër Serbisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë