Dosje

Kasandër Noga plagosi në Belgjikë Hasanbelliun. Historia 20-vjeçare e hasmërisë mes dy fiseve

Gazeta Si – Hasmëria mes familjes Hasanbelliu nga Fieri dhe Noga nga Patosi, vijon prej 20 vjetësh.

Ajo nisi në Tiranë dhe vazhdoi në Belgjikë, fillimisht në qytetin e dytë më madh të vendit, Anversë dhe së fundmi në Bruksel.

Mediat belge, raportojnë se i dyshuari kryesor për plagosjen e Erion Hasanbelliut në kryeqytetin belg dy ditë më parë, është Kasandër Noga.

LEXO EDHE:
Plagoset me 6 plumba në Bruksel një 43-vjeçar shqiptar, dyshohet se është Erion Hasanbelliu

Dyshohet se tentativa për vrasje ka ndodhur për shkak të hasmërive të vjetra mes dy fiseve, ku janë përfshirë edhe familjarë të tyre.

Në vitin 2000 në Tiranë, Kasandër Noga, i veshur si polic, hyri me automatik në dorë bashkë me Julian Çelën, duke shkelmuar derën e reanimacionit ku ndodheshin te shtruar në Sanatorium Aqif Hasanbelliu dhe Dritan Hajdini.

Pasi kanë kërcënuar mjekët, u kanë hequr serumin nga krahu dhe me breshëri automatiku i kanë lënë të vdekur në vend.

Më pas hakmarrja vazhdoi në Anversë në vitin 2002 në një lokal të hapur në qendër të qytetit.

Erion Hasanbelliu, bashkë me vëllain e tij, Geron Hasanbelliu ekzekutuan Julian Çelën dhe plagosën rëndë Kasandër Nogën.

Erion Hasanbelliu pas atentatit, i jepet ndihma e parë nga autoritetet belge

Ngjarja asokohe tronditi Belgjikën, pasi ishte hera e parë që shtetas shqiptarë përfshiheshin në ngjarje kriminale, jo për shkak të trafikut të drogës, por për hasmëri.

Pas ngjarjes në Belgjikë, Geroni arriti të arratisej dhe u strehua në Itali, ku u arrestua në vitin 2009 dhe u ekstradua në Shqipëri.

Kurse Kasandër Noga, autori i masakrës së Sanatoriumit, u arrestua nga policia belge gjatë vitit 2003 dhe në 2005-ën u ekstradua në Shqipëri, pasi mbi të rëndonte një dënim me burgim të përjetshëm.

Por pasi ka vuajtur dënimin, ai nuk ka hequr dorë nga hakmarrja, duke shkuar në Belgjikë për të vijuar sagën e hakmarrjes.

Po ashtu, Erion Hasanbelliu dyshohet i përfshirë në Shqipëri në disa ngjarje kriminale. Ai ka qenë bashkëpunëtor në rolin e shoferit në vitin 2005, i përfshirë në atentatin ndaj biznesmenit Sokol Çapja në Elbasan.

Gjithashtu, dyshohet se Hasanbelliu ka qenë i përfshirë edhe në atentatin ndaj Bledar Muçës, i cili humbi jetën në Anversë të Belgjikës pak muaj më parë.

Erion Hasanbelliu alias Mikel Rakipllari, 43-vjeç u qëllua para hyrjes së një hoteli në “Adolphe Maxlaan” në Bruksel, pranë “De Brouckèreplein” në qendërtë qytetit të shtunën në mbrëmje.

Gjendja e tij vijon të jetë kritike në spital, pasi Noga ka shtënë ndaj tij 6 plumba, që e kanë kapur në shpinë dhe këmbë.

Sipas dëshmitarëve okularë, dy persona kanë qëlluar në drejtim të Erion Hasanbelliut, duke e lënë të plagosur rëndë. Gjithçka është filmuar nga kamerat e sigurisë së hotelit, ndërsa dëshmitarët okularë kanë thënë se autori ishte një njeri trupmadh dhe tullac.

Ndërkohë, Kasandër Noga dyshohet si i përfshirë edhe për disa ngjarje të tjera kriminale.

Mes këtyre, krimeve është dhe akuza për vrasjen e Astrit Shperdhejas në 25 gusht të 2001, ndërkohë që gjyqi u bë në Belgjikë në 2005-ën.

Po ashtu ai është dënuar edhe për vrasjen në vitin 1999 në Patos, të Kastriot Gropës dhe Edison Meminajt.

Por pavarësisht këtyre krimeve të rënda, autori arriti që të ishte i lirë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë