Shendet

Kartela e pacientit, jo të gjithë figurojnë aty ku jetojnë

Ka raste kur mjeku i familjes nuk i çrregjitron kur qytetarët zhvendosen me banim se humbasin pagesën

D.B ka vetëm pak kohë, që është zhvendosur në Tiranë nga një qytezë e vogël në juglindje të vendit.

Para disa ditësh ajo duhej të takonte mjekun e familjes dhe të bënte disa vizita mjekësore, por nuk arriti të gjejë veten të regjistruar në qendrën shëndetësore së cilës i takon.

Ajo vijon të jetë e regjistruar në qendrën shëndetësore të qytezës së saj, pavarësisht se pas këtij “incidenti” tërhoqi fizikisht edhe kartelën mjekësore.

Rregulloret janë të qarta në këtë pikë. R.K mjek në një nga qendrat shëndetësore në  kryeqytet I tha gazetës “Si “ se :

  “Mjekët në të gjithë vendin komunikojnë me njëri-tjetrin përmes sistemit online. Të dhënat (emrat) e pacientëve hidhen online. Dhe kur një pacient zhvendoset nga një qytet në një tjetër, nga një qendër shëndetësore te një tjetër, automatikisht të dhënat janë të aksesueshme përmes këtij sistemi.”, - shpjegon ai, ndërsa shton se “ajo çfarë ndodh është, që shumë mjekë nuk i hedhin online të dhënat e pacientit”.

Por marrëdhënia mjek-pacient nuk është kaq fjollë në terren, madje në disa raste janë ngritur mbi skema mashtrimi dhe pacientët nuk çrregjistrohen enkas.

R.K, thotë se  “Diçka e tillë ndodh sidomos nëpër rrethe e sidomos, me atë që kemi vënë re nga përvoja,  me zonën e Korçës.

Kjo, sepse mjekët e familjes paguhen sipas numrit të pacientëve që kanë, që do të thotë, sa më pak pacientë, aq më e vogël pagesa, sa më shumë pacientë, aq më e lartë pagesa.

Në këtë mënyrë, për t’u paguar pak më tepër, për të mos iu pakësuar pagesa, ata nuk i kalojnë të dhënat e pacientëve online, edhe në ato raste kur kartelën ia japin fizikisht pacientit.”,- shpjegon mjeku.

Megjithatë, ky nuk është i vetmi problem dhe nuk është arsyeja e vetme se pse, për shumë pacientë nuk mund të gjenden të dhënat online.

R.K pohon se ka raste nga më të ndryshmet dhe ka dhe nga ata mjekë, që kanë vështirësi në aksesin e sistemit online përmes internetit.

Ndërkohë, që disa mjekë të tjerë kanë një ngarkesë vërtet të madhe e për shkak të mungesës së mjekëve në zona të caktuara mbulojnë në të njëjtën kohë dy apo më tepër qendra shëndetësore.

Për arsye të ndryshme, jo rrallë herë, pacientët ndjehen të pakënaqur nga shërbimi që marrin.

“Ligjërisht, pacientët kanë të drejtë të zgjedhin vetë mjekun e tyre të familjes: atë që sipas tyre është më i miri, që ofron më tepër shërbim apo iu qëndron pranë etj. Por në realitet një gjë e tillë nuk ndodh.”,- pohon R.K.

“Disa pacientë me sëmundje të caktuara kanë pakënaqësi dhe janë ankuar, por një ‘konflikt’ i tillë mund të zgjidhet vetëm përmes Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të  Kujdesit Shëndetësor.”, vijon mjeku.

Ndërsa për L.S., një tjetër mjek në një nga qendrat shëndetësore në Tiranë, konflikte të tilla zgjidhen nga kontrata e punës që kanë mjekët dhe në bashkëbisedim me pacientin, porse, sipas tij, nuk është se ka probleme përsa i përket këtij raporti.

“Nëse dikush transferohet nga një qendër shëndetësore në një tjetër, transferimi bëhet lehtësisht. Kartela, historiku i pacientit merret fizikisht dhe online transferohen vetëm emri dhe mbiemri i pacientit”,- shprehet ai, ndërsa vëren se në ato raste kur ka pasur probleme me transferimin e kartelave të ndonjë pacienti, ose më saktë emrit të tij, që nuk figuron në sistem, “kjo mund të ketë ndodhur për shkak të ndonjë bllokimi në elektronikë.”

Problemet më të mëdha, megjithatë, sipas tij, nuk vijnë nga sistemi, por nga vetë njerëzit.

“Nëse ka njerëz që nuk dinë përshembull se cilën mjek familjeje kanë, mund ta mësojnë diçka të tillë duke kontaktuar në numrin jeshil. Disa prej tyre nuk e bëjnë diçka të tillë dhe ka nga ata që janë të papërgjegjshëm”,- komenton ai.

Disa ditë më parë, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ju drejtua publikut se nëse dikush nuk e di se kë ka mjek familjeje mund ta mësojë diçka të tillë shumë lehtësisht, duke telefonuar në numrin 0800 40 40.

Mjeku i familjes mund të mësohet edhe nëpërmjet faqes online të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

Të interesuarit mund të klikojnë në  rubrikën “e-shërbime” e më pas në pjesën “kliko mjekun”, duke vendosur të dhënat e kartës së identitetit.

Mjeku i familjes është shumë i rëndësishëm sepse ai është portën e parë, për të marrë shërbim shëndetësor për çdo pacient.

Sipas mjekes Z.SH., marrëdhëniet mjek- pacient duhet të bazohen në rregulloren , e cila është e afishuar në çdo qendër shëndetsore, por jo rrallë herë ka pasur probleme edhe për shkak të mungesës së informacionit mbi të drejtat dhe përgjegjësitë e pacientit, “gjë që në raste të caktuara ka çuar dhe në veprime të gabuara, duke u fokusuar tek grindjet dhe kalimin në plan të dytë të sëmundjes.”

Tani që vala e dytë e pandemisë së  COVID-19 ka trokitur  me rritje eksponenciale të të infektuarve Shqipëria kë ndryshuar strategji. Mjeku I famlijes do të jetë skalioni I parë që duhet të pres  goditjen e valës për  të prekurit më lehtë që mund të kurohen nga shtëpia.  Kjo rrugë është e vlefshm edhe në kohë të tjera për të  mos e shtyrë presion tek spitalet dhe shmangur krizën e shtretërve. Por a mund t’ia dalin?! A i njeh mjeku I familjes gjithë historikun e  pacientit, a mund të orientohet ai drejtë në receta megjithës e ka një protokoll. A mund ta marrë ai shepejt ndihmën kur gjendja nuk ta premton luksin e kohës? Në qendrat shëndetësore kuptuam se është e  vështirë ta thuash me gojën plotë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë