Ekskluzive

Karriera e rrufeshme e policit që shoqëronte Martinajn – A ka dështuar FAST?!

Nga gazeta "Si" - Jeton Lami, mosha 28 vjeç, lindur dhe banues në Kamëz u ngjit shumë shpejt drejt Forcave Operacionale të Posaçme, me një mbështetje të pashpjegueshme për këdo oficer tjetër që e ka të vështirë të bëjë karrierë.

I riu, që akuzohet për shpërdorim detyre pasi ka shoqëruar në të paktën një rast Ervis Martinajn, që ky i fundit të shmangte arrestimin, u katapultua në Policinë e Shtetit nga policia lokale e kryeqytetit drejt qendrës gjatë kohës që ishte ministër i Brendshëm Sandër Lleshaj dhe ai promovoi ngritjen e njësisë “Fast”.

Kjo njësi ishte ideuar me 100 anëtarë e policë të stërvitur dhe do të kishte si detyrë që të kapte të shumëkërkuarit, siç ishte Ervis Martinaj në momentin që Jeton Lami e shoqëronte. Për këto arsye, supozohej që siguria dhe kontrolli të ishte maksimal ndaj oficerëve që u ngritën në karrierë pa asnjë kontribut.

Por, “Fast”, që është në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit, shumë shpejt nxorri problemet e para, midis tyre një oficer u arrestua pasi i vendoste ‘gjobë” një të kërkuari dhe një tjetër po ashtu në qytetin e Durrësit kishte të njëjtat probleme.

Në Elbasan, agjenti i FAST iu paraqit një personi me precedentë penalë si punonjës i Interpolit. Ai i thotë se ndaj tij kishte ardhur në Tiranë një urdhër-arresti nga Italia dhe i kërkon 7 mijë euro ‘që t’i mbyllë muhabetin’.

Por, personi me precedentë penalë dhe me inicialet K.H., i kishte mbyllur llogaritë me drejtësinë italiane dhe ishte në dijeni se ndaj tij nuk kishte ardhur në Tiranë asnjë urdhër-arresti. Ai i kërkon agjentit me inicialet S.F., që të paraqitet ditën tjetër për të marrë paratë. Agjenti i FAST paraqitet ditën tjetër në të njëjtin vend, në lokalin e K.H., pranë stadiumi “Elbasan Arena”.

Megjithatë, në vend të parave, S.F., është goditur nga K.H. dhe persona të tjerë që ndodheshin në lokal, të cilët më pas i kanë marrë edhe dokumentin e identifikimit si punonjës policie, si dhe armën e shërbimit. K.H., ka telefonuar më pas policinë, të cilës i ka dorëzuar armën dhe dokumentin e identifikimit të S.F. Të dy përfunduan në gjykatë, agjenti i FAST për shpërdorim detyre, ndërsa K.H. për dhunim.

Ka edhe shembuj të tjerë nga njësia e ngritur me një grusht njerëzisht, që si rregull duhet të jenë më të përgatiturit e personat më me integritet në radhët e Policisë së Shtetit, pasi janë vija e parë e luftës për kapjen e të shumëkërkuarve. Por, në vend të kësaj, në dy raste gjykata e ka akuzuar këtë njësi se bënte ‘pazar’ me të shumëkërkuarit.

Elementë të tjerë kësaj njësie janë përfolur, dyshuar e akuzuar se kanë tradhtuar operacione të shumta të policisë, duke përfshirë këtu operacionet për arrestimin e Talo Çelës, ende në kërkim, apo të Nuredin Dumanit, që u arrestua vetëm pasi u plagos gjatë një shkëmbimi zjarri në zonën e Paprit në Elbasan.

Rasti i fundit i Jeton Lamit, të akuzuar se ka ndihmuar Ervis Martinajn që t’i shmanget hetimit shton edhe më tej njollat në njësinë e re të Policisë së Shtetit, njolla që as Agjencia e Mbikëqyrjes Policore dhe as ndonjë institucion tjetër nuk i ka hedhur sytë që t’i hetojë deri më tani.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë