Lojëra me Dore

Karlos Alkaraz tërhiqet nga turneu i Montekarlos, e zëvendëson Sonego si ‘lucky loser’

Gazeta Si – Tenisti spanjoll vendosi ta braktisë turneun, pas sinjaleve që kishte dhënë të dielën, kur braktisi stërvitjen para kohe dhe fashoi parakrahun. Shkon direkt në turin e dytë tenisti italian.

Alarmi i pak ditëve më parë sot është bërë fakt. Karlos Alkaraz, numri 3 i botës dhe një nga favoritët kryesorë, është tërhequr nga Montekarlo. Njoftimi është nga vetë lojtari nëpërmjet profilit X. Më pas ka ardhur edhe konfirmimi nga Atp. Arsyeja e mungesës? Probleme me krahun e djathtë.

Në vend të spanjollit, si ‘lucky loser’, futet Lorenco Sonego, që kalon direkt në turin e dytë, ku do të përballet me kanadezin Auger-Aliasime.

Të hënën Alkaraz u paraqit sërish në stërvitje me krahun e fashuar, edhe pse në mënyrë më pak të dukshme. Nuk është akoma e qartë, nëse shqetësimi është muskulor apo i tendinës, por e pengon atë të kryejë si duhet gjuajtjen e drejtë. Për kohën e rikuperimit duhen pritur ditët e ardhshme.

Alkaraz është regjistruar në turneun e Barcelonës, që nis më 15 prill, por gjendja e tij sportive e ka frenuar në këtë moment delikat të sezonit. Me mungesën e spanjollit, ashtu si një vit më parë, Siner mbetet numri 2 në botë, nëse shkon në gjysmëfinale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë