Lojëra me Dore

Karlos Alkaraz eliminohet nga Dimitrov në Majemi: Më bëri të ndihesha si 13 vjeç!

Gazeta Si - Karlos Alkaraz është eliminuar në çerekfinale të Masters 1000 të Majemit nga bullgari Grigor Dimitrov. Rezultati 6-2, 6-4 tregon krizën tenistin e ri spanjoll, i cili shpreson në eliminimin e Janik Siner që të ruajë pozicionin numër 2 në klasifikimin ATP.

Një situatë vërtet e pashpjegueshme, siç ka pohuar edhe vetë Alkaraz në konferencë shtypi pas humbjes. “Dimitrov luajti një tenis shumë të mirë, gati perfekt. Nuk po arrija të gjeja zgjidhje, nuk po gjeja një mënyrë për ta vënë në vështirësi.

Ishte një ndeshje e madhe prej tij, jam shumë i frustruar në këtë moment, sepse më bëri të ndihem sikur të isha 13 vjeç, - ka thënë spanjolli. – Po flisja me skuadrën time dhe thashë se nuk po dija çfarë të bëja. Nuk po e gjeja pikët e tij të dobët. Mendoj se luajta mirë, ndoshta duhet ta kisha ndryshuar mënyrën e lojës pak më parë. Nuk isha perfekt, por them se luajta mirë“.

Për Alkaraz është momenti të mendojë për turnetë me dhe të kuq, periudhë që mund të përballohet vetëm pas një analize për atë çfarë ndodhi në Majemi.

“Sinqerisht, në Shangai nuk luajta mirë, isha më mirë në Majemi. Duhet të pres pak ditë për të riparë gjithçka. Ka shumë turne, sezoni sapo ka nisur. Duhet të stërvitem në 100%”, - ka përfunduar Karlos Alkaraz.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë