Ana e errët

Karantina po i mbyll gratë e dhunuara me bashkëshortët e rrezikshëm!

Një pjesë e madhe e grave të izoluara për shkak të koronavirusit  në Kinë ishin dhunuar në mënyrë të vazhdueshme nga bashkëshortët. KY raport I publikuar pak ditë më parë vuri në alarm edhe autoritetet europiane.

“Kriza në të cilën po kalojmë dhe karantina mund të krijojë fatkeqësisht një tokë pjellore për rritjen e dhunës në familje,” thuhet në një deklaratë të ministres franceze për Barazinë Gjinore, Marlène Schiappa, duke shtuar se me masat e reja, Franca duhet të përgatisë edhe strehimore urgjente për gratë që bien viktima të dhunës në familje.

Ky muaj e gjen Shqipërinë me 4 gra të vrara nga dhuna në familje dhe me 57 burra të burgosur për shkak të ushtrimit  të dhunës, vetëm në dy muajt e parë të këtij viti.

Duke qënë se gjykatat janë mbyllur, çështjet e dhunës në familje janë ende të hapura dhe rreziku për viktimat e dhunës në familje është edhe më i madh.

Ministrja franceze ngre për shembull shqetësimin se dhuna në familje do të rritej dhe mund të prekte edhe të miturit si rezultat i izolimit të detyruar.

“Të mbyllesh në shtëpi me një burrë të dhunshëm është e rrezikshme. Por nuk është e ndaluar të ikësh. Keni nevojë për ndihmë? Thërrisni policinë ”, theksoi  ministrja.

Për shkak të stresit të shkaktuar nga beteja e vazhdueshme kundër shpërthimit të koronavirusit, disa vende në Europë u kanë bërë thirrje autoriteteve të sigurohen që autoritetet të mos e heqin vëmendjen nga viktimat e dhunës në familje.

Amandine Clavaud, këshilltare politike në Fondacionin Jean-Jaurès në Paris thotë se në të gjithë Europën  ekziston nevoja për një rritje të vigjilencës nga organeve publike, në lidhje me këto lloje të çështjeve.

“Ne duhet të jemi shumë të vëmendshëm ndaj rreziqeve ndaj grave dhe fëmijëve në mes të kësaj krize, sepse puna e shoqatave do të ngadalësohet për shkak të karantinës,” tha ajo.

Shqetësime janë shfaqur si në Shtetet e Bashkuara në lidhje me rritjen e rasteve të dhunës në familje që mund të ndodhin si rezultat i njerëzve në marrëdhënie abuzive që detyrohen të izolohen së bashku.

“Në kohë krize dhe katastrofash natyrore, ka një rritje të dokumentuar të abuzimit në familje. Ndërsa jeta normale mbyllet, viktimat, të cilat zakonisht janë gra, mund të jenë të ekspozuar ndaj dhunuesve për periudha të gjata kohe dhe të mos kenë mundësi të marrin mbështetje sociale dhe institucionale, “ thotë Instituti Europian për Barazi Gjinore.

Dhuna ndaj grave mbetet një problem serioz në vendin tonë. Sipas të dhënave të fundit të Institutit të Statistikave, 52,9% e grave ose një në ҫdo 2 gra kanë përjetuar një ose më shumë forma të dhunës gjatë jetës së tyre.

Pasiguria financiare që shpesh ndalon viktimat e dhunës në familje të largohen nga abuzuesit gjithashtu mund të përkeqësohet pas krizës së pandemisë.

Situata në Shqipëri bëhet edhe më shqetësuese për shkak të armëve që zotërojnë në  mënyrë ilegale burrat. Sipas burimeve zyrtare nga Qeveria, në Shqipëri ka 200-300 mijë armë në duart e popullatës të mbajtura në mënyrë të paligjshme. Në takimin e dytë për Luftimin e Armëve në Ballkanin Perëndimor (BP), që u zhvillua në Tiranë, në nëntorin e kaluar, si pjesë e nismës nga Gjermania dhe Franca për të çarmatosur popullsinë, Markus Bleinroth, drejtor në Ministrinë e Jashtme gjermane se “mbajtja pa leje e armëve ka rritur numrin e grave të vrarë nga dhuna në familje në rajon”, një fenomen alarmues që përfshin edhe Shqipërinë. 

Për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve, në raste të problemeve  që mund të lindin si pasojë e izolimit, për parandalimin e përhapjes së COVID-19, Policia shqiptare ka vendosur dy numra  telefoni  në dispozicion dhe u bën thirrje qytetarëve për të kontaktuar konkretisht në : 069 41 22 223 dhe 069 41 22 224.

Gazeta “Si” është duke përgatitur një raport me ngjarjet  e fundit nëse fenomeni I dhunës në familje këto ditë të emergjencës së koronavirusit është rritur dhe shumë shpejt do ta ndaj me ju.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë