Ngjarje

Karantina përgjysmon aksidentet rrugore

INSTAT publikoi statistikat e aksidenteve rrugore dhe në prill numri i aksidenteve ka qënë më pak se gjysma e tyre gjatë të njëjtit muaj të vitit 2019.  Sigurisht që efekti i karantinës nga koronavirusi ka luajtur një rol kryesor në këtë përgjysmim aksidenteve.

Në muajin Prill 2020, sipas INSTAT, numërohen 51 aksidente rrugore nga 112 aksidente të ndodhura në Prill 2019, duke u ulur me 54,5 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në katërmujorin e parë të 2020-s, numërohen 315 aksidente rrugore nga 468 aksidente të ndodhura në katërmujorin e parë të 2019-s, duke u ulur me 32,7 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë

Në Prill 2020, numri i të aksidentuarve (të vrarë dhe të plagosur) është 67 persona nga 147 që ishte një vit më parë, duke u ulur me 54,4 %. Numri i të aksidentuarve në katërmujorin e parë të vitit 2020, është 427 persona nga 630 persona, duke u ulur me 32,2 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019.

Në muajin Prill 2020, numri i të vdekurve nga aksidentet rrugore është 10 persona nga 14 të vdekur në Prill 2019. Në katërmujorin e parë të 2020, numri i të vdekurve nga aksidentet rrugore është 49 persona nga 62 në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në muajin Prill 2020, aksidentet rrugore, në 84,3 % të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit. Numri më i lartë i aksidenteve në këtë periudhë është kryer nga grup-mosha 25–34 vjeç, duke zënë 33,3 % të numrit të aksidenteve gjithsej. Aksidentet në këtë grup-moshë janë ulur me 55,3 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në katërmujorin e parë të 2020, aksidentet rrugore, në 20,6 % të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së këmbësorit. Gjatë kësaj periudhe, numri i aksidenteve sipas sjelljes së këmbësorit është ulur 13,3 %, krahasuar me një vit më parë.

Ky material nuk lejohet të kopjohet, apo riprodhohet pa miratimin e Gazetës “Si”. Ai është pronë intelektuale e gazetasi.al dhe si i tillë mbrohet nga ligji.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë