Ana e errët

Karantina fryn sherre të vjetra fqinjësh: Yt atë ka qenë spiun. Ti more policinë se kam kafenenë hapur

Debate nga më banalet po përplasen përditë në dyert e komisariateve në kryeqytet. Duke qenë se rutina e të gjithëve ka ndryshuar në varësi të masave të ndërmarra për të parandaluar përhapjen e infeksionit, rezulton gjithashtu se ka ndryshuar edhe natyra e konflikteve dhe grindjeve mes njerezve. Gazeta “Si” disponon ekskluzivisht dosjen e përpiluar nga policia dhe konkretisht nga komisariati numër 3, mbi sherrin e dy fqinjëve të cilët kanë hapur kartat, pasi njëri prej tyre dyshonte që tjetri e spiunonte në polici. Spiunimi sipas akuzuesit nuk kishte të bënte me ndonjë krim të rëndë, apo ngjarje të rëndë, por me shitjen e kafesë në ilegalitet. Këtu janë nxehur gjakrat dhe secili ka nisur grushtat. Dikur fqinjët, pra para pandemisë, kishin pasur një sherr për pompën e ujit, por pompa është harruar dhe ka dalë në dritë “servirja” e kafesë në një kohë kur kafenetë nuk lejohen të hapen.

“Babai yt ka qenë spiun, unë të kam krijuar shanset të jetosh këtu”, i ka bërtitur shtetases S.ZH., fqinji i katit poshtë. Gruaja pretendon se po qëndronte e karantinuar në ballkonin e shtëpisë në rrugën "Pandi Dardha", ndërkohë që në të njëjtin pallat, një kat më poshtë fqinjët e saj e kanë kërcënuar. 46-vjeçarja i tregoi policisë së komshinjtë kishin dyshuar tek ajo që po qëndronte në ballkonin e shtëpisë së saj dhe kanë menduar se mos njoftonte policinë përderisa T.M dhe e bija shërbenin kafe jashtë urdhrave, të dhëna nga autoritetet. E thirrur për të sqaruar konfliktin e precipituar më pas me ofendime, 46-vjeçarja u shpjegoi agjentëve se pasi e kishin parë e kishin dyshuar tek ajo, fqinji e kishte sharë nga i ati duke aluduar “ se babai ka qenë spiun dikur”. Por veç fjalëve, fqinjët e kafenesë janë hedhur edhe në veprime. Vajza e pronarit të kafenesë është ngjitur në katin e dytë dhe ka kërcënuar.

"E bija i ra derës. E hapa. M'u drejtua me fjalët më ndyra. "Do të të hedh nga ballkoni", më tha", shprehet gruaja.
Policia shkruan në raport-shërbimin që Gazeta “Si” disponon, se ka verifikuar nëse ishte apo jo kafeneja e hapur tej kufizimeve të urdhëruara dhe "u pa që kafeneja ishte e mbyllur pasi as në ambientet e brendshme dhe as në të jashtme nuk kishte asnjë person"
Fqinji
Fqinji që akuzoi gruan si bijën e një spiuni i ka justifikuar kërcënimet dhe sharjet ndaj 46-vjeçares me inatet e vjetra të mbartura mes tyre.
“E njoh shtetasen S. prej vitesh dhe debatet më të hershme i kemi pasur për pompën e ujit, të cilën e ndava për ta pasur për vete. Nuk e kam kërcënuar, por kur pashë që ajo po filmonte nga ballkoni i shtëpisë, u nxeha. Lokalin nuk e kam hapur asnjë moment dhe nuk u shërbej kafe klientëve, pasi njoftimi është bërë që të qëndrojnë mbyllur”, u shpreh ai.

Edhe vajza e kërcënuesit ka mohuar gjithçka. Madje ajo ka shtuar se i kishte hipur gjaku në kokë, pasi komshia e katit më sipër i kishte sharë të atin.
“Nuk i thashë do të hedh nga ballkoni”, këmbëngul në polici vajza. "Por i thashë, hajde shaj këtu poshtë dhe jo aty lart". Për shkak se nuk ka dëshmitarë të tjerë veç tre fqinjëve, policia deklaron për Gazetën "Si" se ka regjistruar çështjen për kanosje dhe se një specialist i zonës po e këqyr me përparësi mosmarrëveshjen e karantinës që ka hapur plagë të vjetra të inateve mes fqinjëve.
Policia sqaron për Gazetën “Si” se si ky rast, shembuj të tjerë të përplasjeve mes komshinjve po bëhen shkak që agjentët të kthehen si pajtues gjatë karantinimit. Një specialist i rendit pranë Policisë së Shtetit pohon për Gazetën “Si” se duke qenë se ka shumë qytetarë që njoftojnë në numrin pa pagesë për thyerje karantine, fqinji ka dyshuar se pikërisht në këtë mënyrë e ka spiunuar edhe fqinja e tij. "Kur patrullat kanë bërë ndalimet përkatëse dhe kanë gjobitur, fqinji ka shkuar i nxehur në banesë dhe pasi ka dyshuar se dikush ka treguar, ka filluar edhe sherri. Këto mosmarrëveshje zhvillohen më tej. Për t'jua ilustruar po ju sjell rastin e një rrahjeje në Allias. Një qytetar pasi i gjobit, mendoi se policia ishte vendosur në dijeni nga një fqinj me të cilin kishin hatërmbetje të mëparshme. Disa orë më vonë shërbimet tona u njoftuan për një konflikt dhe kur i pyetëm, u befasuam për shkakun. Agjenti i pajtoi të dy dhe garantoi të gjobiturin që patrullat ndodheshin fare rastësisht dhe se nuk i kishte treguar askush", tregon oficeri i rendit për Gazetën "Si".


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë