Rend dhe Ligj

Kapet në një hotel në Durrës ‘Zoti i Drogës’ Alket Hatija, i dënuar me 20 vjet burg për trafik heroine në Itali

Gazeta Si - Alket Hatija, 50 vjeç, i dënuar me 20 vite burg në Itali për trafik heroine, është arrestuar këtë të mërkurë në një hotel në Durrës.

I ashtuquajturi “Zoti i Drogës”, në bashkëpunim me 40 persona të tjera ka trafikuar heroinë nga Shqipëria në Itali në periudhën 2003-2004.

I shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, Hatija u dënua me 20 vjet burgim nga autoritetet gjyqësore italiane, për trafikim të lëndëve narkotike.

Sipas dosjes hetimore, Hatija ka trafikuar nga Shqipëria në Itali, nëpërmjet automjeteve të transportit ndërkombëtar, sasi të mëdha droge (rreth 10 kg heroinë për çdo rast).

Alket Hatija u arrestua për herë të parë në vitin 2008 me kërkesë të autoriteteve italiane, të cilat e akuzonin si pjesë të një organizate kriminale që kishte trafikuar qindra kilogramë heroinë në Itali me një vlerë të dyshuar 40 milionë euro.

Çështja u transferua në Shqipëri dhe pas shqyrtimit nga Gjykata e Krimeve të Rënda, Hatija u dënua me 10 vjet e 8 muaj burg në vitin 2010.

Hatija arriti të dilte nga burgu në vitin 2014, duke përfituar ulje dënimi. Në vitin 2017, Hatia u arrestua sërish mbi bazën e urdhrit të kërkimit nga autoritet italiane, me qëllim për t’u ekstraduar në Itali.

Në 5 mars të vitit 2018, Gjykata e Durrësit vendosi të refuzonte kërkesën për ekstradimin e Alket Hatisë, ndërsa i hoqi masën e sigurisë "arrest me burg".

Vendimi u ankimua nga prokuroria, ndërsa Gjykata e Apelit Durrës, në 14 prill 2018, la në fuqi vendimin e Shkallës së Parë.

Më pas, Prokuroria e ankimoi vendimin në Gjykatën e Lartë. Ndërkaq, Gjykata e Lartë, në 22 nëntor të vitit 2019, vendoi të rrëzonte vendimin e Gjykatës së Apelit Durrës, e cila kishte lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë për të mos e ekstraduar Alket Hatinë. Gjykata e Lartë e ktheu çështjen për shqyrtim në Apel, për t’u gjykuar nga një tjetër trupë gjykuese.

Gjykata e Apelit Durrës, në 20 prill 2021, vendosi të pranojë kërkesën për ekstradimin e Hatisë në Itali. Ky vendim është ankimuar nga Hatija në Gjykatën e Lartë.

Në shtator të vitit 2009, Gjykata e Lartë ka vendosur të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës së Apelit për ekstradimin e Alket Hatisë drejt Italisë.

Vendimi u ankimua sërish nga Hatia në Gjykatën Kushtetuese me pretendimin se po vuante dy herë dënimin për të njëjtën vepër penale dhe se nuk i ishte garantuar mbrojtja me avokat sipas ligjit.

Gjykata e Kushtetuese vendosi të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës së Lartë, me argumentin se Alket Hatisë i është dhënë mundësia për t’u mbrojtur me avokat.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë