Ka ndodhur

Kapet në një hotel në Durrës rusi që kërkohej nga Gjermania

Nga Gazeta Si - Policia shqiptare ka arrestua një shtetas rus, i cili kërkohej nga Gjermania pasi akuzohet për trafik lëndësh narkotike.

"Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, falë edhe shkëmbimit të informacioneve dhe bashkëpunimit me homologët gjermanë, FAST Albania, në bashkëpunim me DVP Durrës dhe Interpol Tirana, organizoi dhe finalizoi operacionin policor të koduar Kempten”, tha policia.

Arrestimi u krye në ambientet e një hoteli në rrethrrotullimin e Durrësit. Në pranga përfundoi Denis Borisov, 28 vjeç, lindur në Rusi dhe rezident në Gjermani.

"Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet gjermane, pasi Gjykata e Kempten, Bavari, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, parashikuar nga Kodi Penal gjerman.

28-vjeçari, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, shqiptarë dhe gjermanë, ka trafikuar sasi të mëdha lëndësh narkotike kanabis dhe kokainë, nga Spanja dhe Shqipëria drejt Gjermanisë”, tha policia.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Wiesbaden, Gjermani, vijon punën për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Gjermanisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë