Dosje

Kapet në Belgjikë shqiptari i arratisur nga qelia, strehohej në shtëpinë e gardianes të cilën e njohu në burg

Gazeta Si - Një anëtar i shpallur në kërkim i një bande mafioze shqiptare, është arrestuar dhe zbuluar se gjatë arratisë qëndronte i strehuar në shtëpinë e një gardianeje, e cila punonte në këtë qendër të vuajtjes së dënimit në Lantin, afër Liezhit në Belgjikë.

Ermal Gjergji, 34 vjeç, dyshohet se është një anëtar i një bande mafioze shqiptare dhe një nga krerët e trazirave në burgun e Lantin-it në vitin 2020.

Së bashku me katër të burgosur të tjerë, ai sulmoi gardianët. Tre oficerë burgjesh u desh të dërgoheshin në spital pas plagëve të pësuara.

Pas këtyre ngjarjeve, personi kryesor në fjalë u dërgua në një tjetër qendër paraburgimi në Tournai, ku do të vuante një dënim prej 30 muajsh pas këtyre trazirave. Gjergji u dënua për grup kriminal, pengmarrje, zhvatje dhe grabitje.

Mediat belge, raportojnë se i arratisuri Gjergji u arrestua nga policia në fund të qershorit, kur nga kontrolli i policisë rezultoi se ndaj tij ishte ende i hapur një urdhër-arresti.

Pas arrestimit të tij, shqiptari njoftoi menjëherë se kishte qëndruar me E., një grua rreth të 50-ave, e cila prej më shumë se 20 vitesh punon si gardiane në qendrën e paraburgimit të burgut Lantin.

Sipas përgjimeve të bisedave telefonike mes E., dhe Gjergjit, del ndër të tjera se ata kishin komunikuar në telefon për dhjetëra orë.

Sipas "Sudinfo", ata ndoshta janë njohur në burg, ku edhe motra e E., ka qenë e burgosur për lidhje me mafien shqiptare. Një hetim për këtë rast në bashkëpunim me grupet mafioze është hapur në vazhdim.

Gardiania aktualisht po paguhet për të qëndruar në shtëpi, ndërkohë që hetimet janë në vazhdim dhe Gjergji ndodhet në burgun e Lantin-it në pritje për një transferim në një burg tjetër.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë