Ka ndodhur

Kapen në Kukës dhe Kamzë grabitësit e refugjatëve të huaj në Gjirokastër

Gazeta Si - Pesë persona që dyshohet se grabitën disa ditë më parë 11 refugjatë të huaj në Gjirokastër janë arrestuar.

Policia e Gjirokastrës në bashkëpunim me atë të Kukësit dhe Tiranës ka prangosur shtetasit: S.M. 21 vjeç,  N.M. 21 vjeç, A.Th. 17 vjeç, E.Sh. 20 vjeçe, banuese në Tiranë dhe E.B., 26 vjeçe, banuese në Tropojë.

Dy prej tyre u kapën në mbikalimin e Bardhocit në Kukës, duke transportuar 4 emigrantë në drejtim të Kosovës.

Ndjekja e tyre nga shërbimet e policisë zgjati 1 orë dhe një video amatore u publikua më 24 maj në rrjetet sociale.

Aty shfaqej makina e policisë duke qarkulluar në sens të kundërt në Rrugën e Kombit, sepse ishte në ndjekje të automjetit që transportonte emigrantët.  

Dy të tjerë u kapën në Kamzë. Njëri prej tyre, në banesë iu gjet një pistoletë lodër metalike, 5 celularë dhe një shumë parash.

Po ashtu, u sekuestruan 3 automjete, 1 përforcues grushti, doza me lëndë të dyshuar narkotike kanabis sativa dhe 9 aparate celulare. 

Këta persona morën 11 emigrantë nga vendet e Lindjes së Mesme dhe u premtuan se do t’i transportonin nga Gjirokastra në Tiranë.

Por në afërsi të fshatit Mashkullorë në Gjirokastër, i nxorën nga makinat dhe iu vodhën paratë dhe sendet personale.

Ata akuzohen për “Vjedhja me dhunë” e kryer në bashkëpunim, “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë