Ka ndodhur

Kapen me rreth 20 kg kanabis në makinë, arrestohen 4 persona në Tiranë. Dyshime për ‘shtëpi bari’ në jug të vendit

Gazeta Si – Katër persona janë arrestuar, pasi janë kapur me rreth 20 kg kanabis në Tiranë. Policia ka lokalizuar në rrugën “Kasem Shima” një automjet tip “Benz” dhe gjatë kontrollit të tij kanë gjetur dhe sekuestruar 2 çanta të mbushura me kanabis me peshë 19.30 kilogramë.

Në pranga kanë rënë:

– G. H., 50 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”;

– A. K., 37 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”;

– S. G., 54 vjeç, dhe O. B., 43 vjeç, të dy banues në Tiranë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim.

50-vjeçari me iniciale G.H. gjatë ndërhyrjes, ka kundërshtuar punonjësit e Policisë dhe nuk i është bindur urdhrave të tyre.

Sipas burimeve, grupi kriminal prej kohësh ishte i përfshirë në shitjen e lëndëve narkotike kryesisht në kryeqytet.

Kanabisi i sekuestruar ishte kultivuar përmes llambave në shtëpi bari. Kilogrami i tij shitej në treg më shumë se 2000 euro.

Dyshohet se shtëpia e barit ndodhet në jug të vendit, ku Antidroga e Tiranës po heton për zbulimin e vendndodhjes së banesës.

Grupi, në momentin që sillte lëndën narkotike në kryeqytet ndaheshin në dy automjete, njëra hapte rrugën dhe kontrollonte nëse ka apo jo prezencë të policisë dhe mjeti i dytë kishte në bagazh kanabisin.

Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit të banesës së 37-vjeçarit me iniciale A. K., shërbimet e Policisë, gjetën një armë zjarri pushkë, 200 fara të dyshuara narkotike kanabisi.

Lënda narkotike së bashku me sendet e tjera të jashtëligjshme, 2 automjete e 7 aparate celular, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë