Ka ndodhur

Kapen 5 të rinj me kokainë në makinë, njëri tenton të arratiset nga komisariati

Pesë të rinj janë arrestuar nga policia në Lezhë të akuzuar për shpërndarje të lëndëve narkotike. Ata qarkullonin me një makinë në fshatin Tale në Lezhë, ku brenda saj kishin lëndë narkotike të ndarë në doza gati për ta shitur.

Gjatë kontrollit  të makinës, me drejtues shtetasin Altin Biçaku, 29 vjeç, dhe pasagjerë shtetasit Fatmir Suti, 29-vjeç, Ervistjan Gjergji, 23-vjeç, Bongjov Korriku, 21-vjeç, dhe Arsid Stojani 23-vjeç, është gjetur një sasi lëndë narkotike e dyshuar kokainë, e ndarë në doza gati për shitje dhe një peshore, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin dhe 5 aparate celular.

Por kur ndodheshin në Komisariatin e Lezhës për të kryer veprimet procedurale, njëri prej tyre, Fatmir Suti 29 u hodh nga dritarja dhe mbeti i dëmtuar. Ai u dërgua në Spitalin e Traumës dhe është jashtë rrezikut për jetën.

Materialet iu referuan Prokurorisë Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim dhe "Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit".


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë