Ngjarje

Greqia mban në radhë mijëra shqiptarë në kufi prej dy ditësh. Ambulanca shtyp 10 vjeçarin

Situata në Kakavijë dhe Kapshticë është përkeqësuar gjatë orëve të natës dhe në orët e para të mëngjesit të së shtunës. Radhët e gjata të qytetarëve shqiptarë që duan të hyjnë në Greqi janë shtuar për shkak të punës me kapacitete të reduktuara nga pala greke dhe testet Covid-19.

Në Kakavijë një pjesë e qytetarëve presin në radhë prej thuajse tre ditësh. Ata thonë se në orën 22:00 të mbrëmjes së të premtes pala greke ndërpreu punën dhe gjatë natës dogana qëndroi e mbyllur. Puna rifilloi në orën 06:00 me orën tonë, por u ndërpre sërish vetëm pas një ore e 30 minutash, pa asnjë shpjegim.

Gazeta “Si” mëson se në dy pikat doganore të Kakavijës dhe Kapshticës, pala greke përpunon dokumentacionin e vetëm dy shtetasve njëkohësisht. Kjo lidhet me faktin se si në Kakavijë, ashtu edhe në Kapshticë janë vetëm dy mjekë që kryejnë testet anti-Covid.

Situata përkeqësohet nga fakti se sot është 15 gushti, ditë pushimi dhe feste kombëtare në Greqi.

Qytetarët shqiptarë që ndodhen në radhë akuzojnë gjithashtu edhe për selektivizëm palën greke, që bëhet me “ndihmën” e Policisë shqiptare. Burime të gazetës “Si” thonë se kryesisht në Kakavijë, shtetas shqiptarë që janë të pajisur nga Greqia me atë që njihet si “karta e homogjenit” kalojnë pa radhë dhe shpesh nuk u kërkohet as testi anti-Covid.

Një pjesë e emigrantëve kanë humbur durimin dhe janë nisur në këmbë në drejtim të pikës doganore, duke ecur në rrugën nacionale deri në 5-6 kilometra nën temperaturat e larta që kanë përfshirë vendin.

Fatkeqësisht, brenda tragjedisë së madhe që po luhet me mijëra emigrantët në pritje nën rrezet e forta të diellit, u luajt edhe tragjedia e një familjeje nga Lezha, djali 10-vjeçar i të cilës u përplas për vdekje nga një ambulancë.

Policia thotë se ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 10:30 minuta në afërsi të kryqëzimit që të çon për në fshatin Bularat. Ambulanca po udhëtonte në drejtim të Spitalit Rajonal të Gjirokastrës për të transportuar një shtetase të sëmurë, kur ka përplasur të miturin me inicialet S.N.

Një patrullë policie ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe ka shoqëruar drejtuesin e autoambulancës, shtetasin A.G., ndërsa pacientja që ndodhej në makinë është transportuar për në spital me automjet policie. Policia thotë se ka ngritur një grup hetimor për zbardhjen e plotë të ngjarjes.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë