Ngjarje

Kanioni i Holtës dhe premtimi gjysmak për HEC-et

Kanioni i Holtës në zonën e Gramshit, që ndodhet në listën e zonave të mbrojtura të Ministrisë së Turizmit, rrezikon që të zhduket nga harta e destinacioneve turistike dhe shkak për këtë është një leje e firmosur në prill të 2018 nga Kryeministri Edi Rama dhe ish-ministri i Energjitikës, Damian Gjiknuri për ndërtimin e një hidrocentrali.

Kompania që ka përfituar këtë leje është “Era Hydro”, e cila nga një verifikim në regjistrin kombëtar të bizneseve rezulton e regjistruar në vitin 2016 me një kapital fillestar 100 mijë lekë. Megjithëse lejen e ka marrë që në prill, kompania në fjalë ka nisur punimet për realizimin e hidrocentralit vetëm në fillim të këtij viti. Bashkë me punimet nisën edhe protestat e banorëve vendas dhe të aktivistëve të mbrojtjes së natyrës.

Punimet janë në fazë fillestare, por për banorët pasojat kanë nisur të reflektohen. Së pari, në kantierin e hapur në hyrje të kanionit, nuk lejohet që të hyjnë më vizitorë dhe turistë. Në fakt, në dalje të Kanionit ka qenë ndërtuar një hidrocentral prej kohësh dhe këtë e përdor si argument mbrojtës kompania që po ndërton HEC-in e ri. Por, banorët thonë se ndërtimi nuk po realizohet mbi gjurmët e HEC-it të vjetër, por në daljen e kanionit, që për 2018 ka pasur mbi 3 mijë vizitorë dhe që është klasifikuar në kategorinë III “Monument Natyre”, që mbrohet nga shteti.

Kanioni i Holtes, pamje te filmuara gjate muajve te veres, kur prurjet jane ne minimum

Megjithatë, as statusi monument natyror duket se nuk e mbron kanionin nga ndërtimi i hidrocentralit dhe në grykën hyrëse të tij shihen gjurmët e punimeve të firmës private, duke rindezur një debat të ngjashëm me atë të shpërthyer për HEC-et në lumin Osum, që pas zbulimit të skandalit se cenonte kanionet e famshme, u anuluan nga Qeveria.

Gazeta “Si” mëson se prej kohësh qarkullon një propozim për të përcaktuar qartë zonën e mbrojtur përreth këtij Kanioni, të formuar nga erozioni i lumit Holtë dhe dukuritë karstike. Ai është 3 kilometra i gjatë, 350 metra i lartë dhe në dalje gryka ngushtohet deri në 10 metra.

Propozimi për të përfshirë në zonë të mbrojtur hapësiren përreth Kanionit të Holtës

Propozimin për të përcaktuar zonimin e kanë kërkuar me ngulm edhe banorët vendas, si dhe autoritetet lokale. Megjithatë, ai gjithmonë ka qarkulluar si propozim jozyrtar që shpërfaqej hera-herës, e që asnjëherë nuk është zyrtarizuar deri më tani.

Në rastin e lejeve të dhëna në Osum, Ministria e Energjitikës dhe Ministria e Turizmit fillimisht këmbëngulnin se nuk kishte asnjë shkelje dhe se HEC-i nuk cenonte parkun natyror. Por, më vonë u zbuluan dokumentacionet, që provonin se koordinatat ku do të shtrihej HEC-i në fjalë preknin një pjesë të mirë të kanionit.

Kryeministri fliste në atë kohë për falsifikime të koordinatave në fjalë dhe për vendosjen para përgjegjësisë të autorëve të këtij falsifikimi. Rama deklaronte se lejen për ndërtimin e këtij HEC-i e kishte dhënë qeveria e mëparshme, por vetë kishte kryer procedurat ligjore.

A është i njëjti skenar në Hidrocentralin e Holtës? Ministria e Energjitikës dhe Infrastrukturës thotë sërish jo. Ajo thotë se leja e dhënë nuk prek zonën e mbrojtur në Kanionin e Holtës. “Ky HEC është jashtë territorit të zonave të mbrojtura dhe nuk prek monumente natyrore”, thotë ministria.

HEC-et, një premtim gjysmak

Kryeministri Edi Rama ka akuzuar shpesh qeverinë “Berisha” për leje të dyshimta për ndërtimin e HEC-eve, ku një pjesë e mirë e këtyre lejeve është dhënë gjatë periudhës së tranzicionit të pushtetit në vitin 2013. Rama ‘kërcënonte’ në atë kohë me anulimin e këtyre lejeve.

Por, me të marrë pushtetin shumë pak u bë në këtë drejtim. Rama i cilësonte lejet e dhëna si mina me sahat dhe merrte si shembull lejet në Luginën e Valbonës. Fliste për plot për 11 të tilla nga të cilat u anuluan 9, ndërsa dy të tjera, megjithëse të kundërshtuar nga banorët vendas dhe aktivistët u la drita jeshile me arsyetimin se në të kundërt do të kishte një kosto të madhe për buxhetin e shtetit.

Kryeministri Edi Rama dhe kryebashkiaku i Tepelenës, Tërmet Peçi gjatë një mitingu elektoral në kuadër të zgjedhjeve vendore të 2015

“Ne jemi të vendosur që të përballemi me të gjitha minat në rrugën tonë në të shkuarën dhe ka shumë në çdo hap dhe sektor. Jemi më të vëmendshëm se nuk do t’i vëmë asnjë minë Shqipërisë, se me HEC- et e trashëguara ka gjithmonë probleme, ashtu si ndodhi me Valbonën, që ne e minimizuam atë që pritej të ndodhte, por nuk arritëm dot ta neutralizojmë, përndryshe do të përballeshim me gjyqe”, deklaronte ai në shkurt të 2018.

Rama nuk ka përjashtuar asnjëherë mundësinë për të mos dhënë leje për ndërtime HEC-esh të reja, gjithmonë duke u zotuar për më shumë vëmendje dhe mbikëqyrje në detaje të lejeve që u dhanë.

Por, a janë treguar të vëmendshme autoritetet dhe vetë Kryeministri Edi Rama si kryetar i Këshillit Kombëtar të Rregullimit të Territorit në rastin e lejes së dhënë për Hidrocentralin e Holtës? Shembulli që mbërrin nga rasti i HEC-it të Poçemit mbi lumin e Vjosës tregon që jo. Për këtë HEC, qeveria miratoi lejen në vitin 2015.

Po në të njëjtin vit, Kryeministri u premtonte tepelenasve gjatë një takimi elektoral në kuadër të fushatës për zgjedhje vendore, transformimin e Luginës së Vjosës në një Park Kombëtar, “për të frenuar barbarizmin e hidrocentraleve”.

Një vit më vonë, protestat e banorëve dhe të aktivistëve u përshkallëzuan. Pavarësisht kësaj, Qeveria reagoi e vendosur për të mos u tërhequr nga leja e dhënë. Banorët dhe aktivistët dërguan çështjen në gjykatë dhe në 2017, Gjykata Administrative u dha të drejtë duke pezulluar punimet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë