Shendet

Kanceri i Stomakut, trajtimi dhe beteja që nuk duhet lënë përgjysmë

Kanceri i stomakut është një nga sëmundjet më të shpeshta që hasim në vendin tonë. Sipas të dhënave mosha mesatare e shfaqjes së kancerit në stomak është 68 vjeç, por grupmoshat më të reja janë tashmë më në risk se më parë për të shfaqur sëmundjen.
Dr.Shk. Irgen Tafaj nga Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, në Shërbimin e Gastroenterologji-Hepatologji, tregon se përqindja e formave të parakohshme është dyfishuar në 20 vitet e fundit, referuar studimeve aktuale. Sipas mjekes gjithashtu studime të kohëve të fundit evidentojnë një forme klinike dhe gjenetike të veçante të kancerit të stomakut që prek moshat e reja.
“Kjo formë e sëmundjes është veçanërisht shqetësuese edhe për faktin se i reziston trajtimit me kimioterapi. Ka një sere faktorësh risku te lidhur me kancerin e stomakut. Ndër to do të përmendja gastritin kronik nga Helicobacter Pylori, duhanpirjen, ushqimet të pasura në kripra dhe të varfra në fibra apo të pasurit e një familjari me kancer stomaku. Burrat preken lehtësisht me shume se gratë nga kanceri i stomakut.,” shpjegon mjekja Tafaj.
Të dhënat shkencore tregojnë se Helicobacter Pylori, është një bakter që e kanë pothuajse gjysma e popullatës në stomak. Shumica e njerëzve të infektuar me këtë bakter është se nuk shfaqin simptoma dhe nuk shfaqin kurrë probleme, por ky bakter mund të shkaktojë një sërë sëmundjesh duke nisur nga ulçera e deri tek kanceri i stomakut.
Mjekja Tafaj në Shërbimin e Gastroenterologji-Hepatologji shpjegon për Gazetën “Si” se kanceri i stomakut duhet kërkuar kur jemi para shenjave si: dhimbje e pjesës së sipërme të barkut, të përziera dhe të vjella të përsëritura, prekje e gjendjes se përgjithshme (humbje oreksi, lodhje, rënie në peshe), gjakrrjedhje nga goja apo me jashtëqitje (jashtëqitja është me ngjyre te zeze si katrani) apo shfaqja e anemisë.
“Diagnoza e kancerit të stomakut vendoset përmes realizimit të fibrogastroskopisë me biopsi dhe konfirmohet nga rezultati i ekzaminimit anatomopatologjik të qelizave/indit të marra në stomak. Nëse sëmundja është e lokalizuar, trajtimi fillestar është kirurgjia, përmes së cilës hiqet një pjese ose i gjithë stomaku. Nëse tumori është sipërfaqësor, trajtimi mund të bëhet edhe përmes endoskopisë. Në format e avancuara të sëmundjes përdoret trajtimi me kimiopreparate përpara dhe pas kirurgjisë. Në kancerin e stomakut me përhapje në organe të tjera (metastatik) trajtimi i zgjedhur është kimioterapia e vetme,” shpjegon Tafaj.

Dr.Shk. Irgen Tafaj në Shërbimin e Gastroenterologji-Hepatologji

Një studim i "American Journal of Clinical Nutrition" ka shpjeguar se dieta mesdhetare është shumë e favorshme për personat që kane këtë sëmundje sepse në këtë dietë mbizotërojnë ushqimet e freskëta dhe zarzavatet e shumëllojshme.
Të dhëna nga studime të ndryshme, të botuara në mediat e mëdha si “The Guardian”, “The Wall Street Journal”, tregojnë se pjesa më e madhe e tumoreve në stomak e ka zanafillën nga qelizat që shtrihen në stomak dhe quhen adenokarcinoma. Ndërkohë sipas studimeve në 30% të rasteve tumori mund të zhvillohet nga indi limfatik i stomakut, ose nga muskuli sarkoma. Ndërkohë, 3% e tumoreve të stomakut janë tumore karcinoide që e kanë origjinën nga qelizat që prodhojnë hormone në stomak.
Mjekja Tafaj në Shërbimin e Gastro Gastroenterologji-Hepatologji në QSUT i shpjegoi gazetës “Si” se trajtimi i të sëmurëve me kancer bëhet nga një grup mjekesh të specialiteteve të ndryshme, si gastroenterologe, kirurgë, onkologë, anatomopatologë, dietetistë, psikologë, sociologë, etj. Tafaj shprehet se së bashku këta profesionistë bashkëveprojne për të mundësuar trajtimin dhe ndjekjen e këtyre të sëmurëve tepër kompleks, si dhe në mbështetjen e familjeve të tyre.
“Rekomandimi im i vetëm për këta të sëmurë, është të vazhdojnë betejën e nisur, e cila fatkeqësisht shpesh here nuk është aspak e lehte dhe të mos humbin asnjë takim të parashikuar me mjekun e tyre, duke mos hezituar të kërkojnë ndihme sa here është e nevojshme,” këshillon mjekja.
Të dhënat nga studimet të ndryshme që ka kryer Shoqata Amerikanë e Kancerit, tregon se kjo sëmundje vret rreth 700.000 njerëz çdo vit në të gjithë botën dhe këshillohet nga ekspertët e shëndetit publik që të bëhet çdo gjë e mundur për diagnostikimin në kohë, ose për parandalimin e këtij kanceri.
Kanceri i stomakut, megjithëse është relativisht i pazakontë në ShBA, vret rreth 700,000 njerëz në të gjithë botën çdo vit. Mbetet kaq vdekjeprurëse sepse zakonisht zbulohet vetëm në fazat e vona të tij. Deri atëherë, tumori ka të ngjarë të jetë shtrirë përmes murit të stomakut dhe të përhapet në zona të tjera të traktit gastrointestinal.

Dr. Shk. Tafaj shpjegon se disa masa mund të merren për të ulur riskun e prekjes nga kanceri i stomakut, si: ndalimi i duhan-pirjes, mos konsumimi i alkoolit në sasi të mëdha, ulja e konsumit të kripës, ulja e konsumit të mishit dhe peshkut të tymosur dhe të kripur, konsumi i rregullt i fibrave, mbajtja e një peshe trupore normale, trajtimi i Helicobacter Pylori, mos-ekspozimi i pambrojtur profesional ndaj substancave kimike si amianti, plumbi, etj.
Ndërkohë, mjekja shpjegon edhe një tjetër fakt shqetësues në vendin tonë. Tafaj shpjegon se bazuar në të dhënat e institucioneve përgjegjëse shëndetësore të vendit tonë, por dhe të atyre europiane, ka një numër të konsiderueshëm kancerësh të padiagnostikuar gjatë valës së parë të pandemisë se Covid 19.
“Duhet thënë se të sëmurët kanë hezituar të konsultojnë gjatë kësaj periudhe, për simptoma jo tepër shqetësuese dhe jo fort të qarta. Ata vijnë në stade me të avancuara, çfarë do të beje që në vitet në vazhdim do të shohim më shumë rikthime të sëmundjes, nevojë për trajtime më të renda dhe rritje të vdekshmërisë për shkak të kancerit. Këtij rregulli nuk i shpëton asnjë nga kancerët e traktit tretës, përfshire dhe atë të stomakut,” shton mjekja.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë