Ka ndodhur

Kanabis mes misrit, sekuestrohen mijëra rrënjë në Fier. Gjendet një mjet i dyshimtë

Gazeta Si - Mijëra rrënjë kanabis sativa janë gjetur dhe sekuestruar nga Policia e Fierit gjatë një aksioni anti-drogë.

Bimët narkotike janë gjetur të kultivuara në fund të fshatit Mujalli të Fierit pranë shtratit të lumit Seman.

Në vendngjarje kanë shkuar forca të shumta policore. Ende nuk dihet emri i pronarit të parcelës apo numri i saktë i bimëve narkotike të mbjella, sikurse nuk dihet as nëse ka person të ndaluar deri në këto momente.

Por ajo që vihet re, është fakti se bimët e kanabisit janë kultivuar mes misrit. Dyshohet se bëhet fjalë për rrënjë të shumta kanabisi.

Sipas burimeve paraprake, mësohet se sipërfaqja e tokës ku është gjendur kanabis sativa është tokë e dhënë me qira.

Po ashtu, një automjet është gjetur brenda një kanali në zonën e Baltzës në Fier, disa kilometra larg vendit ku u zbulua parcela me kanabis.

Dyshohet që në brendësi të automjetit ka kanabis. Ndërkohë, një tjetër automjet, që dyshohet se ka shkuar për të ndihmuar të parin, është bllokuar në afërsi të kanalit.

Policia ndodhet në vendin e ngjarjes, ndërkohë që efektivë të FNSH po krehin zonën.  Aktualisht ka mbërritur një karrotrec që po mundëson nxjerrjen e mjetit nga kanali. Dyshohet se dy ngjarjet janë të lidhura me njëra-tjetrën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë