Lojëra me Dore

Kampionët e Uorriërs “shtypin” Lejkërsat në shtëpi

Golden Stejt është pretendenti numër 1 deri në këto momente për të triumfuar në kampionatin amerikan të basketbollit, NBA. Mbrëmjen e së enjtes kampionët në fuqi, dhe kryesuesit e Konferencës së Perëndimit, Goldent Stej Uorriërs triumfuan bindshëm në shtëpinë e Los Anxhelos Lejkërs. Përballja në “Staples Center” u mbyll në shifrat 90-108, por mund të ishte thelluar akoma dhe më shumë nëse basketbollistët miq nuk do të ulnin disi ritmin nga fundi.

Kozins, Kuk dhe Durant ishin më të mirët në parket për Uorriërs. Të tre liderët e këtij ekipi nuk bënë një performancë të jashtëzakonshme, pasi nuk ishte shumë e nevojshme. Los Anxhelos Lejkërs duket një ekip totalisht i shkatërruar këtë sezon dhe vetëm po pret fundin e kampionatit për të nisur një proces ristrukturimi për t’u rikthyer sezonin e ardhshëm pretendent. Pa Xhejms në parket, i cili vuan ende dëmtimin, Uilliams ishte shumë i vogël për t’i bërë ball furisë së Uorriërs.

Në ndeshjet e tjera të zhvilluara mbrëmjen e kësaj të enjte në NBA, Miluoki Baks ka marrë kryesimin e Konferencës së Lindjes falë fitores në shtëpinë e Filadelfias. Ndeshja ishte e fortë, por në fund miqtë e Miluokit u treguan më të vendosur për ta fituar këtë përballje, duke u ngjitur kështu në krye të grupit të Lindjes. Ndërsa Sakramento ka mposhtur në shtëpi Klivlend Kavaliers me rezultatin 117-104.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë