Ngjarje

Kamerat e sigurisë, bizneset po zbardhin krimet në vend të policisë

Shtetasi A.L ka një biznes familjar afër vendit ku në 11 qershor u qëllua për vdekje Hekuran Billa.

Në hyrje të qendrës tregtare ku ndaj tij u zbrazën 19 plumba, nuk ka më gjurmë nga atentati. Por në cep të rrugës, në një shtyllë, të afërmit kanë vendosur tufa me lule.

Atë natë ai dëgjoi një zhurmë si përplasje makine. Si aksident. “Por kur dola jashtë pashë makinën të devijuar dhe pastaj e kuptuam, ishte vrasje”. Më pas, biznesi i tij si i dhjetëra të tjerëve u inspektuan duke kqyrë kamerat e sigurisë.

“Ndodh përherë, ndodh një vjedhje, ose diçka kriminale agjentët vijnë dhe kthejnë dvr”. Por, për të parandaluar ngjarje të pakëndshme Ardiani është treguar largpamës. “E kam vendosur kameran e sigurisë në dyqan e brenda, pra tek dera e jashtme dhe brenda. E kisha edhe atë që shikonte në rrugë, por policia më mbeti në zyrë”, tregon ai për gazetën “Si”.
Më shumë se tre vjet nga miratimi i ligjit që detyron bizneset dhe institucionet për vendosjen e kamerave të sigurisë, bizneset janë kthyer në ndihmësit më të mëdhenj që po zbardhin krimet. Por në shumë raste atyre u janë hapur edhe telashe.

Kur Jan Prenga u rrëmbye në Kamëz, baza ku ai ishte dërguar u zbulua nga kërkimi metër pas metri në biznese. Njëri prej tyre që zotëron një lokal në autostradë kujton se “pavarësisht se policia vjen dhe merr kamerat tona, asnjëherë nuk mendojnë a jemi ne të rrezikuar, nga elementë që janë të frikshëm edhe për polcinë”. Por A.L e ka gjetur zgjidhjen, ai ndjek parimin “në derë e brenda”. “Nuk jam budalla, agjentët mendonin që përmes investimit tonë do gjenin çdo hajdut në komunën e Parisit, por le të punojnë me parandalim apo informacion “, ironizon biznesmeni

Ndryshe nga Ardiani, të tjerë ia dorëzuan materialet e videove survejuese pa asnjë diskutim agjentëve të krimeve.

Pavarësisht se shtetasi tjetër D. B me biznes pranë qendrës tregtare shpreh disi revoltën. “Policia të mos bëhet bujare dhe shpërndan videot tona, kështu na ekspozon”, tregon për gazetën “Si” i riu, sipas të cilit nëse kalimtarët që shfaqen në kameran e sigurisë do ishin të informuar që iu është shkelur privatësia, me siguri do ta padisnin atë dhe policinë.

Por vrasja e Hekuran Billës u zbulua nga kqyrja e 42 kamerave të sigurisë. “Nëse këto kamera nuk do ishin të instaluara ne do gjendeshim në vështrësi për gjetjen e autorëve ndonëse ngarkesat kriminale të viktimës janë të njohura dhe natyrisht që do kishim edhe të dyshuar hipotetikë“, përshkruan një ekspert policie për gazetën “Si”. Pas zbulimit të makinës së djegur në fshatin Pezë që rezultoi se ishte Mersedes Benz, agjentët u kthyen në vendngjarje.

Ata u vunë në kërkim të kamerave që do ilustronin mjetin me portobagazh me target e identifikuara. “Ne filluam të kërkojmë që prej momentit kur në kameran e një biznesi që shënon orën 21.47  duket mjeti që drejtonte Hekuran Billa  që përplas disa automjete të tjera. Aty vërejtëm në kameran e sigurisë që në rrugën Prokop Mima në të njëjtin çast ishte pozicionuar në krah mjeti Mercedez Benz, që është mjeti nga u qëllua” tregon agjenti i hetimit të krimeve për gazetën “Si”. Por teksa automjeti largohet agjentët kërkuan në të njëjtin perimetër dhe aks për të parë lëvizjet e makinës me të cilën udhëtonte Hekuran Billa.

“Në çastin që mjeti ku gjendet Hekuran Billa hyn dy minuta përpara se të vritej në  të njëjtën rrugë, aty dallohet një mjet Nissan Micra“, përshkruan eksperti.

Policia dhe ekspertet mjeko-ligjore rrethojne zonen ku u ekzekutua me silenciator ne makine viktima Hekuran Billa, prane 'Komunes se Parisit' ne Tirane. Gazeta "Si" 21 qershor 2020

Por ky mjet i parkuar përballë një pike ushqimore, rezulton gjithashtu te  një sërë biznesesh të tjera teksa ndihmon ti gjejë vend parkimi vrasësve që gjendeshin në Mercedez Benz. “Për shkak se mjeti që përdorën vrasësit ishte i vjedhur e gjithashtu edhe targat, u hodhën pikëpyetje për automjetin tip Nissan Micra”, shpjegon zyrtari i policisë që numëron për gazetën ‘Si” kamerat e një numri të madh biznesesh të kqyrura e me interes për hetimin derisa në njërën prej tyre Nissan Micrës ( që më pas u zbulua se e drejtonte bashkëpunëtori Sebastian Mali) u zbuluan targat.

“Nga targat e identifikuara nga pamjet e kamerave të sigurisë verifikuam sistemin e gjobave dhe aty gjetëm se mjeti ishte regjistruar nën emrin e Sotir Potkës dhe që më pas kishim diçka nga ku duhej nisur”, shton më tej zyrtari i policisë për gazetën “SI”

Për zyrtarin e policisë natyrisht që kamerat e sigurisë janë një ndihmë e paçmuar, madje me këtë rast ai nuk harron të kujtojë edhe dhjetëra grabitje të zbuluara pikërisht nga kamerat e sigurisë. 

Kur policia zbuloi se ky automjet ishte marrë provizorisht nga Sebastian Mali tek servisi i automjeteve, agjentët u vunë sërish në ndjekje të pamjeve të fshehta, sapo mësuan se Sebastian Mali kishte shkuar atje me një mjet Smart.  “Në kafene, në markete që gjenden përgjatë zonës së Astirit dhe në hotele ne përfituam pamje ku tregohet udhëtimi i mjetit Smart që Viktor Marku e kishte marrë me qera në Shkodër duke u justifikuar se i duhej për pesë ditë për të motrën”, shpjegon agjenti.

Por ka edhe raste kur policia nuk mori asnjëherë kamera sigurie nga një vendngjarje. Një krim i dyfishtë i ndodhur tre vite më parë në aksin Tiranë- Durrës deri më tani nuk është zbardhur ende. Bëhet fjalë për ekzekutimin mafioz të Ervin Dalipit, ish shef policie dhe Juxhin Dautit. Ndonëse policia shpresoi se do siguronte pamje me vlerë për hetimin nga një biznes ku ata kishin qenë pak përpara se të qëlloheshin, biznesi në fjalë nuk i vendosi në dispozicion kamerat e sigurisë, ashtu sikurse edhe lokali ku ishte ulur për herë të fundit Ravik Gurra që çuditërisht nuk punonin prej një jave

Kamerat që zbardhën vrasjen e Bujar Likës dhe Paulin Gjergjit

Një burrë me tuta të kuqe që shfaqet i maskuar duke hyrë brenda në lokal dhe që më pas u nxor i plagosur, u bë shkak që brenda pak orëve të arrestohej një i ri që ishte siç shfaqej në kamerat e sigurisë i plagosur në gjymtyrët e poshtëm dhe me tuta të kuqe. Por rastësia e keqe e shtetasit K.T i cili ishte plagosur në një ngjarje tjetër ishte katërcipërisht kundër të riut. Edhe pse ai kishte dëshmitarë në krah të tij dhe alibi të fortë që nuk kishte qenë në këtë atentat, policia mori të mireqënë kameran e sigurisë dhe e dërgoi në pranga.

Por në të vërtetë K.T rezultoi të ishte i arrestuar krejt rastësisht në këtë ngjarje. Personi me tuta të kuqe dhe që nxirret i plagosur 23 ditë më vonë u mësua se quhej Eduart Lama, 30 vjec. I riu u zbulua në një klinikë sipas informacioneve operative, ndonëse policia nuk e ka argumentuar ende se si e mësoi që një i dyshuar për vrasje po operohej në fshehtësi nga dy mjekë të zgjedhur nga të afërmit e tij

Kamerat e sigurisë tregojnë se mjeti në ngjyrë të zezë lloji Golf nga ku zbret një person i maskuar dhe që më pas i drejtohet automjetit me drita të ndezura Reinxh Rover. Por automjeti i vrasësve është I paidentifikuar.

Në dosjen që gazeta ‘Si’ disponon përmendet sidoqoftë edhe dëshmia e punonjësit që ishte në detyrë mbrëmjen kur personi me kallashnikov hyn në katin e parë i maskuar si policia dhe qëllon. I riu tregon që dvr e largoi menjëherë sapo pronarja e urdhëroi që ta hiqte dvr.

Por përse shtetasja A.I. urdhëroi heqjen e kamerave të sigurisë pas krimit? Gruaja tregon: “ E pyeta Admirin se kush ishin ata që gjuajtën me armë  dhe ai mi përshkroi, atëherë nga frika se mos vinte ndonjë nga këta persona dhe i merrte për të zhdukur provat i thashë t’i hiqte. Më pas njoftova në numrin 129 dhe njoftova për ngjarjen”.

 Copyright © Gazeta “Si”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë