Ngjarje

Kallëzim i rrallë/ Për një video pa dëshirë policia nis hetimin

Përdorimi i telefonit si aparat fotografik apo kamera është një nga manitë më tipike të të rinjve, shpeshherë deri në fiksim apo edhe ves. Mund të shohësh dikë që rrëzohet në rrugë dhe menjëherë, drejt të lënduarit drejtohen telefonat për të shkrepur një fotografi. Po kështu nëse ndodh diçka qesharake apo edhe për çaste të bukura si menuja, shopping-u deri edhe te vizitat te doktori. Ndërsa nuk frenohemi teksa ndajmë me fotografi pjesëza nga jeta jonë personale, e njëjta gjë ndodh edhe për jetën e të tjerëve. Mjafton që dikush të jetë veshur jo mirë dhe befas ai mund të bëhet një “vip” pa dëshirën e tij. Mjafton një aksident pa pasoja dhe rrjetet sociale pushtohen me foto të makinës së dëmtuar, targave, individit që shfaqet i shqetësuar. Dhjetëra website ofrojnë dritaren prej nga ku kushdo mund të shpërndajë video të jetës së kujtdo, i cili mjafton një minutë që të kthehet në popullor e njëkohësisht në qesharak. Por, një qytetar nga Paskuqani ka vendosur të thotë mjaft, pasi, sipas tij, jeta personale është jetë personale dhe askush nuk ka të drejtë të ndërhyjë në familjen e tij.


Kallëzimi
Lazer Gjoka, 47 vjeç, lindur në Tropojë dhe me banim në Paskuqan mendon se me familjen e tij nuk bëhet shaka. As me video, as në rrjetet sociale. Me këtë mendim burri, i cili ka një biznes të vogël në Babrru Qendër, i është drejtuar policisë lokale me një kallëzim të rrallë. 47-vjeçari pretendon se dy të rinj kanë ndërhyrë pa të drejtë në jetën e tij private, për sa kohë i kanë bërë një video atij dhe fëmijëve të tij të mitur, dhe më pas këtë video e kanë shpërndarë në një website të njohur, përmes të cilit hidhen foto apo edhe video në të cilat ose raportohet një moment qesharak ose një moment shqetësues.
Kam një biznes të vogël, shprehet në kallëzim i dëmtuari, një biznes të cilin e kam hapur prej dhjetë vitesh. “Biznesi është një kioskë kancelari, ku mbulohen edhe shërbime të tjera si shpërndarje gazetash, revistash, por edhe abone për të udhëtuar me autobusë të linjës Kamëz Babrru. Ditën që m’u bë video, isha bashkë me gruan herët në mëngjes dhe po shpërndanim abone. Aty gjendeshin edhe dy fëmijët tanë të mitur”, thotë ai. Kallëzuesi i ka treguar policisë se për shkak të kërkesave atë ditë janë krijuar radhë, por edhe njerëz që shtyheshin. Në vrullin e kësaj pune, kallëzuesi pretendon se të afërmit e kishin telefonuar duke i thënë se dikush e kishte nxjerrë në portalin “Jeta Osh Qef”. Lazër Gjoka i ka thënë policisë se menjëherë ka hyrë në Youtube ku edhe ka parë veten dhe fëmijët e mitur. I gjendur në befasi, ai ka hapur menjëherë kamerat e sigurisë për të kuptuar se prej kujt e kishte këtë “dhuratë”, ku edhe ka njohur dy të rinjtë, Mariglen Gjestila dhe Brilant Prenga, si autorë të videos me aparatin celular. 47-vjeçari u ka shpjeguar efektivëve se ishte tronditur psikologjikisht, dhe së bashku me të edhe fëmijët e tij që ishin ekspozuar në video. Burri nuk është mjaftuar me kaq, por ka tentuar të takojë edhe babain e njërit prej autorëve të videos, i cili është mësues. Pas videos dy të rinjtë kanë shkuar te puna e Gjokës, por ai nuk ka pranuar të flasë me ta, megjithëse ju ka deklaruar se s’ka asnjë punë me ta, pasi do t’i drejtohet policisë. Të pyetur nga policia, i dyshuari Mariglen Gjestila ka mohuar të ketë bërë një video të tillë, ndërkohë që Briland Prenga ka pranuar autorësinë dhe shpërndarjen e filmimit. Por, 20-vjeçari, i cili është i kallëzuar për ndërhyrje të padrejtë në jetën private ka deklaruar se kishte shkuar në dyqanin ku shpërndaheshin abone, ka marrë një numër për të pritur radhën, por kur ka parë radhët dhe njerëzit që shtyheshin, ka nxjerrë telefonin dhe ka filmuar. Por, i riu këmbëngul se videon e kishte shpërndarë për të ekspozuar fenomenin.
Hetimi
Policia e ka marrë me aq seriozitet privatësinë e kallëzuesit, sa nuk është mjaftuar vetëm me dëshminë e autorit të videos. Një ekspert ka këqyrur aparatin Iphone, me të cilin është komunikuar me portalin në fjalë, në të cilin i riu ka shkruar: “Përshëndetje, mund ta publikoni këtë… radha për të blerë abone në Babrru”.
Por ndërkohë janë marrë në pyetje edhe baballarët e dy djemve, për sa kohë njëri prej tyre pas këmbënguljes së kallëzuesit për shkelje të privatësisë e ka telefonuar Gjokën dhe e ka ofenduar. Por, babai, siç edhe i biri, ka thënë: “E bëra nga nervat, e di që kam vepruar gabim, ndaj kërkoj falje”. Sidoqoftë edhe telefonata e babait të nxehur ka shtuar edhe një vepër tjetër, atë të përdorimit me keqdashje të thirrjeve telefonike në dëm të Lazër Gjokës, i cili si rrallëkush e di se cilat janë të drejtat e tij, por mbi të gjitha e di se incidentet nuk zgjidhen rrugëve të qytetit, por në dyert e institucioneve për të cilat paguajnë taksa.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë