Shendet

Kalifornia shpall gjendjen e emergjencës nga koronavirusi

Kalifornia ka shpallur të enjten një gjendjen e jashtëzakonshme pasi shënoi viktimën e parë nga koronavirusi, ndërkohë që numri i viktimave në të gjithë SHBA-në ka arritur në 11. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të alarmuara nga mundësia e shpërthimit të një epidemie, duke rritur vigjilencën dhe duke kufizuar në minimum udhëtimet drejt Azisë, por edhe Europës.

Shtëpia e Bardhë njoftoi se do të rriste ndjeshëm numrin e testimeve për koronavirusin në mbarë vendin. Deri më tani, SHBA-ja ka 150 pacientë të prekur me COVID-19 në 16 shtete.

Në të gjithë botën, autoritetet kanë konfirmuar më shumë se 92,000 raste të virusit, nga të cilat më shumë se 80,000 janë në Kinë. Më shumë se 3000 njerëz kanë vdekur globalisht, shumica dërrmuese në Kinë.

Uashington dhe Florida po ashtu shpallën gjendjen e emergjencës gjatë fundjavës për të ndihmuar në parandalimin e koronavirusit.

Qeveria amerikane aktualisht ka ndaluar hyrjen e shtetasve të huaj që kanë vizituar Kinën gjatë 14 ditëve të kaluara.  SHBA-ja ishte ndër vendet e para që ndaloi fluturimet drejt Kinës dhe ka këshilluar tanimë qytetarët e saj të mos udhëtojnë drejt Veriut të Italisë.

Kalifornia gjendjen e emergjencës, SHBA “masa të hekurta” ndaj koronavirusit , Gazeta Si, 2020

Zëvëndëspresidenti amerikan Mike Pence tha të mërkurën se çdo amerikan është i  detyruar të testohet për koronavirus nëse urdhërohet nga mjeku. Pence njoftoi gjatë një konference për shtyp në Shtëpinë e Bardhë se Uashingtoni kishte ndaluar udhëtimet edhe drejt Iranit si përgjigje ndaj situatës së krijuar atje për shkak të koronavirusit.

Pence, i cili po drejton reagimin ndaj shpërthimit të koronavirusit, gjithashtu tha që Shtëpia e Bardhë do të japë çdo ditë njoftime të hollësishme mbi masat dhe përhapjen e virusit në SHBA.

Për më tepër, Qendrat e SHBA-së për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve do të japin udhëzime të reja për të përshpejtuar testimet e gjithë qytetarëve që kanë frikë se janë të infektuar. Ndërklohë, Dhoma e Përfaqësuesve në Senatin Amerikan miratoi 8.3 miliardë dollarë si ndihmë urgjente për të luftuar koronavirusin.

Presidenti Trump ka deklaruar se koronavirusi përbën një rrezik të lartë për shëndetin, por ka premtuar se çdo amerikan i shëndetshëm që preket nga COVID-19 do të jenë në gjendje të shërohet.

Mike Pence, Gazeta Si, 2020

"SHBA ka ndërmarrë masat më agresive në historinë moderne për të përballuar përhapjen e kësaj sëmundjeje", tha presidenti.

Ai është takuar së fundmi edhe me drejtuesit e industrisë farmaceutike për të diskutuar mbi çmimet e barnave dhe koronavirusi.

“Bëhet fjalë për një vaksinë, mbase edhe një kurë,” u tha Presidenti Trump gazetarëve.

Ndërkohë, United Airlines dhe Delta kanë njoftuar shkurtime në oraret e fluturimeve jashtë dhe brenda SHBA-së për shkak të një rënies të kërkesës të shkaktuar nga shqetësimet për virusin.

Autoritetet në SHBA kanë këmbëngulur prej ditësh se pandemia tani është e pashmangshme.

Virusi është përhapur në shumë pjesë të Evropës, Azisë dhe Lindjes së Mesme gjatë ditëve të kaluara, teksa numri i të vdekurve në Iran, Itali, Korenë e Jugut, Gjermani, Francë apo Tajvan është rritur.

Kalifornia gjendjen e emergjencës, SHBA “masa të hekurta” ndaj koronavirusit , Gazeta SI, 2020

Vendi më i prekur jashtë Kinës është Koreja e Jugut, e cila raportoi të mërkurën zbulimin e 516 të të infektuarve brenda ditës, duke e çuar totalin në 5.766. Numri i të vdekurve në vend është 35.

Në përpjekje për të frenuar shpërthimin, Kryeministri i Koresë së Jugut Chung Sye-Kyun ka njoftuar ndalimin eksporteve të maskave të fytyrës. Ndërkohë në Greqi numri i të prekurve ka arritur në 10, ndërkohë që autoritetet po testojnë të gjithë të afërmit e pacientëve. Në Itali nurmi i viktmave është mbi 107 dhe ai i të i infektuarve mbi 3000.

Australia ndërkohë ka ndaluar hyrjen për të gjithë shtetasit e huaj nga Koreja e Jugut. Dy njerëz kanë vdekur nga koronavirusi në Australi dhe 53 raste të tjera janë raportuar të infektuar.

Ndërkohë, Kina ka raportuar 139 raste të reja dhe 31 vdekje, të gjitha në provincën Hubei.

Shkollat ​​janë mbyllur për të paktën 10 ditë në Itali, e cila po lufton me shpërthimin më të madh jashtë Azisë. Të enjten, Fondi Monetar Ndërkombëtar ndau 50 miliardë dollarë mbështetje për vendet e goditura nga koronavirusi. Organizata paralajmëroi gjithashtu se rritja ekonomike globale pritet të jetë nën nivelin e 2.9% për vitin 2019.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë