Futboll

Kaçe dhe Llullaku, golat shqiptarë në Europë

Ergys Kaçe dhe Azdren Llullaku janë dy futbollistët shqiptarë që kanë shënuar këtë fundjavë në kampionatet europiane. Mesfushori shqiptar i Panathinajkosit, titullar i padiskutueshëm, shënoi golin e nderit për skuadrën e tij në humbjen 3-1 me Ofin e Kretës. E veçanta është se këtë gol Kaçe e shënoi me kokë, pavarësisht se është një lojtar shtatshkurtër. Ai barazoi shifrat përkohësisht në 1-1, ndërsa më pas Panathinajkosi pësoi dy gola të tjerë dhe e humbi ndeshjen.

Titullarë në kampionatin grek ishin këtë radhë edhe Migjen Basha dhe Mërgim Mavraj. Arisi i tyre u mund 4-2 në fushën e Atromitosit. Basha u ndëshkua me karton të verdhë dhe në pjesën e dytë u zëvendësua, ndërsa Mavraj arriti të fitonte një 11-mnetërsh, pasi u pengua në zonën kundërshtare. Edhe Eros Grezda luajti nga minuta e parë për Gllasgou Rejnxhërs në barazimin 1-1 në fushën e Dandit. Futbollisti i Kombëtares kuqezi bëri një paraqitje të mirë në këtë transfertë. Skuadra e tij mban vendin e dytë aktualisht, pas Selltikut.

Etrit Berisha

Në Itali, Frederik Veseli dhe Etrit Berisha kanë buzëqeshur, pasi skuadrat e tyre kanë fituar. Empoli i Veselit, në fushë 90 minuta, ka mundur 2-1 Bolonjën dhe mbrojtësi kuqezi ka marrë një karton të verdhë. Atalanta e Berishës ka fituar 1-3 në fushën e Udinezes, me 3 gola të shënuar nga Duvan Zapata. Portieri kuqezi ishte protagonist për Atalantën, që mban vendin e 7-të dhe është shumë pranë zonës europiane. Gjimshiti nuk u aktivizua në këtë takim.

Një tjetër gol shqiptar ishte ai i Azdren Llullakut, mesfushorit sulmues që kohët e fundit nuk është grumbulluar nga trajneri i Kombëtares, Kristian Panuçi. Llullaku është pjesë e Astrës në kampionatin rumun. Ai e nisi ndeshjen e fundit nga stoli, hyri në fushë në minutën e 79-të dhe dy minuta para fundit shënoi golin e tretë për skuadrën e tij, që mposhti Konkordian 3-1. Astra mban vendin e 6-të në kampionatin rumun.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë