Mode

K-pop po sundon javën e modës

Jashtë shfaqjes së Prada-s në Milano në fillim të këtij muaji, rruga ishte e mbushur me fansa që bërtisnin, shumica e të cilëve dukej se kishin dalë për grupin korean pop ‘Enhypen’, i cili mori pjesë në këtë ngjarje. Adhuruesit herë pas here edhe këndonin këngët e grupit.

"Të gjithë fëmijët italianë kanë filluar të mësojnë gjuhën koreane”, thonë personat që ishin prezent aty.

Disa vite më parë, një pamje e tillë do të kishte qenë e çuditshme. Shumë shfaqje mode nuk ishin interesante mjaftueshëm sa të mblidheshin njerëzit jashtë godinës ku do të mbahej shfaqja. Më pas pjesë e javës së modës u bënë edhe grupet koreane, këto shfaqje janë bërë kryefjala në qytetet ku mbahen.

Ky fenomen tashmë është bërë akoma më i përhapur. Vetëm në javën e kaluar, paraqitjet e yjeve koreanë duke përfshirë Kai të EXO në Gucci, Enhypen në Prada dhe J-Hope (nga grupi BTS) në Louis Vuitton kanë ndihmuar markat që të kenë një jehonë në mediat sociale.

Të hënën, Dior njoftoi se kishte nënshkruar një partneritet me anëtarin e BTS Jim, i cili do të marrë pjesë në shfaqje të premten ndërsa Valentino nënshkroi një marrëveshje me Suga, nga BTS.

Madje edhe marka e famshme Bottega Veneta është aktualisht në bisedime për të siguruar një marrëveshje me një anëtar të BTS, sipas burimeve pranë markës. Dhe gjatë sezoneve të fundit të veshjeve të grave, anëtarët e Blackpink, Lisa (ambasadore e Celine), Jisoo (në Dior) dhe Jennie (në Chanel) kanë tërhequr turma gjithnjë e më të mëdha fansash duke gjeneruar të ardhura nga rrjetet sociale.

Rritja e supergrupeve K-Pop, ndikimi i të cilëve përfshiu Azinë në vitet 2010 përpara se “të merrte flakë” në Europë dhe Amerikë, ka përkuar me shpërthimet kulturore koreane, si sensacioni i transmetimit Squid Game dhe filmat e suksesshëm si "Parasite".

Audienca e talenteve koreane është rritur vetëm vitet e fundit, brenda dhe jashtë vendit.

"Ne jemi në këtë pikë kthese ku ndikimi korean është në epiqendrën e kultit kulturor", thotë Alison Bringé, shefe e marketingut në konsulencën e modës Launchmetrics. Markat po kërkojnë mënyra për t'u aktivizuar në një nivel global dhe talentet koreane e ofrojnë këtë.

Talentet e Koresë së Jugut janë bërë zërat më të rëndësishëm të të famshmëve për ekspozimin në media gjatë javës së modës, me postimet në rrjetet sociale duke gjeneruar deri në 41 për qind të “zhurmës” së të famshmëve dhe influencuesve për sezonin e veshjeve. Kjo përqindje mund të jetë rritur deri në 50 për qind në Javën e fundit të Modës.

Ndikimi i yjeve koreanë në internet mund të kapërcejë edhe talentet perëndimore më të njohur. Për shembull, një partneritet midis Kim Kardashian dhe Dolce & Gabbana, për të cilin Kim ndihmoi në "kurimin" dhe stilin. Shfaqja e markës në shtator 2022, mblodhi shikueshmëri në internet me vlerë 4.6 milionë dollarë. Ylli i Blackpink Jisoo krijoi zhurmë me vlerë 7 milionë dollarë për shfaqjen e Dior në Paris në të njëjtin sezon, vetëm duke u paraqitur.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë