Futboll

Juventus-Inter, sfida e madhe e titullit luhet pa tifozë

Në takimin e fundit me sektorin e mjekësisë shkencore të Federatës Italiane të Futbollit (FIGC), Ministria e Shëndetësisë në Itali ka saktësuar se për shkak të emergjencës së kronavirusit, pezullimi i manifestimeve sportive të hapura për publikun skadon të dielën e 1 marsit. Kjo do të thotë se ndeshja e madhe Juventus-Inter, nëse do të luhet të dielën, do të jetë pa tifozë.

Federata Italiane në fakt i ka kërkuar qeverisë më shumë qartësi si për mundësinë e luajtjes me dyer të mbyllura, ashtu edhe për hapjen e stadiumeve për të kryer stërvitje, duke parë që në disa vende, kryesisht të kategorive inferiore, kanë vendosur t’i mbyllin fushat sportive për momentin.

Së fundi qeveria i kërkoi Federatës Italiane të evitojë shtyrjen e ndeshjeve të tjera dhe të luhet me dyer të mbyllura, pra pa tifozë. Bëhet fjalë për një dekret të Këshillit të Ministrave, që parashikon pezullimin e të gjitha aktiviteteve sportive të hapura për publikun, por jo gjithçka është e qartë, kështu që zyrtarizimi i dekretit po vonon. Është një situatë, ku gjithçka duhet parë me shumë kujdes, nuk ka asnjë arsye për të vepruar me shpejtësi, sepse mbi të gjitha duhet garanci për shëndetin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë